Atletikë

Izmir Smajlaj stërvitje në San Marino, shpalos objektivat për 2018-ën

Atleti shkodran Izmir Smajlaj, kampion i Europës në garën e kërcimit së gjati në Europianin e sallave të mbyllura të zhvilluar këtë vit në Beograd, prej disa ditësh ndodhet në San Marino, ku po stërvitet për të përgatitur sa më mirë garat e vitit 2018. Shkodra apo edhe Tirana, nuk i ofrojnë kushte ideale atletit kampion Europe, që ka vendosur të emigrojë në shtetin e vogël Europian për t’u stërvitur. Smajlaj ka zgjedhur këtë vend edhe për një arsye tjetër: “Është hera e tretë që stërvitem në San Marino. Një javë para Europianit erdha këtu, u stërvita dhe më pas mora medaljen e artë në Beograd dhe vendosa rekord kombëtar (8.08 metra)”, shprehet Smajlaj.

Izmir Smajlaj gjate nje seance stervitore

Në vitin 2018, atleti shkodran Izmir Smajlaj shpreson të përsëritë të njëjtin rezultat edhe në Europianin e sallave të mbyllura që zhvillohet në Birmingam dhe jo vetëm, pasi ai do të tentojë të artën edhe në Europianin e Berlinit. “Në Birmingam do të më pëlqente të fitoja sërish një medalje, por objektivi im kryesor është të fitoj titullin kampion edhe në Europianin e sallave të hapura, në Berlin. Dua të jem kampion edhe në sallat e hapura, ndaj po përgatitem fort dhe me shpresën që të realizoj objektivat e mi”, u shpreh më tej për mediat vendase atleti shqiptar, që synon të ngrejë lart flamurin kuqezi edhe në vitin 2018.

Më shumë nga Atletikë