Bundesliga

Ja si duket Bayern me emrat e përfolur në merkato

Një Bayern me sa më shumë gjermanë. Ky është synimi i klubit bavarez për ndërhyrjet e ardhshme në merkato, gjithnjë duke menduar për lojtarë të rinj, të aftë për të veshur fanellën e kuqe për disa vite. Duke u bazuar tek emrat e përmendur së fundmi në medie, “Tele Sport” ka hartuar një formacion të mundshëm të trajnerit Carlo Ancelotti, ku disa pozicione mbulohen me lojtarët më pranë Bayern-t. Informacionet respektive nuk mund të jenë kurrsesi 100% të besueshme, por nuk ka dyshim se 11-shi bavarez i së ardhmes do të furnizojë kombëtaren gjermane.

E nisim me mbrojtjen, aty ku lojtari i ardhshëm më i sigurt i Bayern-it është Niklas Süle. Qendërmbrojtësi i Hoffenheim-it është 21 vjeç dhe konsiderohet si e ardhmja e Gjermanisë. Bavarezët pritet ta transferojnë në verë për 20 milionë euro. Kolegët e shtatlartit në krahët e mbrojtjes mund të jenë algjeriani Faouzi Ghoulam dhe Benjamin Henrichs. I pari është algjerian dhe luan si anësor i majtë te Napoli, ndërsa i dyti, vetëm 19 vjeç, luan si anësor i djathtë te Bayer Leverkusen. Ghoulam vlen rreth 30 milionë euro, kurse gjermani rreth 10 milionë.

Formacioni i mundshëm i Bayern-it me emrat e përmendur së fundmi për merkaton

Kalojmë në mesfushë. Emri më serioz i përmendur për mesfushën bavareze është Marco Verrati. Lojtari italian i PSG-së më parë ka punuar me trajnerin aktual të Bayern-it, Carlo Ancelotti, dhe do ta mirëpriste një ofertë nga Mynihu. Lajmi për interesimin e rekordmenëve është shkruar nga gazetari i njohur italian, Gianluca Di Marzio, kështu që duhet marrë seriozisht. Ai do të formonte një treshe fantastike me yje si Thiago Alcantara, Arturo Vidal dhe Renato Sanches, pa harruar veteranin Xabi Alonso (pritet të rinovojë me një vit) dhe të riun Joshua Kimmich.

Duke marrë parasysh rikthimin e Uli Hoeness-it si president, Bayern do të përpiqet që ta plotësojë sulmin me lojtarë gjermanë. Dy alternativat e mundshme pritet të jenë Julian Brandt dhe Serge Gnabry. Po, ata janë mesfushorë krahu gjermanë. Meqë Franck Ribery dhe Arjen Robben janë në fund të karrierës, kampionët e Gjermanisë vështirë se do të “bien pre” e blerjeve 100-milionëshe me yje si Antoine Griezmann apo Eden Hazard. Gnabry (21 vjeç) luan te Werder Bremen, kurse Brandt (20 vjeç) te Bayer Leverkusen. Ata mund të formojnë mozaikun ideal!

 

 

Më shumë nga Bundesliga