Seria A

“I jam mirënjohës futbollit, por po të isha droguar…”

“Do t’i jem gjithmonë mirënjohës futbollit. Jam ai që jam dhe kam atë kam falë futbollit. Është një botë e mrekullueshme, që më ka bërë të njoh shumë vende, më ka hapur mendjen dhe më ka lejuar të shoh Bob Dylan drejtpërsëdrejti. Por në një moment nuk më ka pëlqyer më, ishte diçka personale. Problemi ishte i imi, nuk dua të ndryshoj futbollin. Kam vendosur të largohem”.

 

Këto janë deklaratat e Pablo Daniel Osvaldo, që në moshën 31 vjeç ka zgjedhur të varë këpucët në gozhdë dhe të merret me muzikë. Në një intervistë për “El Enganche”, ish-sulmuesi i Atalanta, Lecce, Bologna, Fiorentina, Roma, Juve dhe Inter nuk është aspak i penduar për zgjedhjen e tij, përkundrazi. “Universi i futbollit të gjykon pa ditur se mbrapa atletit është një person. Por kam mësuar të mos kushtëzohem edhe pse nuk ka qenë e lehtë, veçanërisht kur isha në qendër të vëmendjes dhe kur thuheshin gjëra të pavërteta. Në Argjentinë, ku isha i lumtur të kthehesha sepse realizoja një ëndërr, thonin se nuk isha profesionist”, ka vazhduar Osvaldo.

 

“Thonin: ‘Këtij i pëlqen muzika rrok. Atëherë, do të thotë se pëlqen edhe ëhisky dhe ndoshta pi duhan. Duhet t’i kalojë ditët deri në 5 të mëngjesit duke pirë dhe duke u droguar’. Dhe unë përgjigjesha: ‘Jo, kam luajtur për 11 vite në Europë, kam luajtur me kombëtaren e Italisë dhe tek Juventus, mendoni se po të isha droguar dhe të kisha pirë deri në 5 të mëngjesit mund ta kisha bërë? Nuk jam Messi, por bie shpejt në gjumë, ha sallatë dhe pushoj’. Më pas është e qartë se më pëlqen whisky, duhani, muzika, por vetëm kur kam mundësinë”, ka shtuar Osvaldo, i cili sot është lider i bandës “Barrijo Viejo”, grup shumë i famshëm në Argjentinë.

Më shumë nga Seria A