Bundesliga

James Rodriguez përplaset edhe me Salihamidzic: E keni gabim…

Situata e James Rodriguez te Bayern Munich është e paqartë. Nëse në fillim të tetorit, ai pati një përplasje (pa trajnerin e pranishëm) me Niko Kovac, pak ditë më parë, zemërimi i kolumbianit nuk kurseu as drejtorin sportiv bavarez, Hasan Salihamidzic. Kjo ndodhi, sipas “Bild”, gjatë ndeshjes së 27 tetorit kundër Mainz, të cilën James e pa të plotë nga stoli.

Kolumbiani, i zemëruar nga zëvendësimi i tij, nuk pranoi përshëndetjen e Salihamidzic, kur ai iu afrua. Madje, e sulmoi atë. “E keni gabim”, – i tha lojtari drejtorit sportiv në spanjisht. Javë më parë, James kishte një përplasje tjetër me trajnerin e tij, Niko Kovac. Siç është raportuar nga “Bild”, ndërkombëtari kolumbian shpërtheu me zemërim në dhomat e zhveshjes, në mungesë të Kovac: “Ne nuk jemi te Frankfurti këtu”.

Referimi ishte i qartë, kishte lidhje me ekipin e mëparshëm të trajnerit Kovac. Në atë kohë, gazeta gjermane raportoi për pakënaqësi të përgjithshme te Bayern Munich, që lidheshin me metodat dhe idenë e lojës së trajnerit kroat. Në fund të shtatorit, “Sport Bild” deklaroi se agjenti i lojtarit, Jorge Mendes, do të takohej me liderët e klubit për të diskutuar largimin e James në janar, duke përfituar nga hapja e merkatos së dimrit.

Mesfushori synon të largohet nga “Allianz Arena” gjashtë muaj përpara se të përfundojë huazimi i tij nga Real Madridi, një operacion që përfshinte opsionin e blerjes nga bavarezët për 42 milionë euro. Në fund të sezonit të kaluar, drejtori menaxhues i klubit, Karl-Heinz Rummenigge, shprehu synimin e tij për ta bërë efektive këtë klauzolë, sapo të skadonte merkatoja e transferimeve.

Megjithatë, “fotografia” ka ndryshuar për James. Që nga roli i titullarit të padiskutueshëm në sezonin e kaluar, me trajnerin Ancelotti dhe Heynckes, ai ka vazhduar të ketë një status të pacaktuar me Kovac. E filloi sezonin në stol dhe më tej aktivizimet e tij kanë qenë të përhershme. Por, së fundi, ka filluar përsëri të zëvendësohet. James  ka luajtur 639 minuta (55%) në 13 ndeshje të Bundesligës dhe Champions, në të cilat ka shënuar tre gola dhe ka dhënë dy asiste.

Më shumë nga Bundesliga