Bundesliga

James, Tolisso dhe konkurrenca, Müller bën “analistin”

Huazimi 2-vjeçar me të drejtë blerjeje i yllit James Rodriguez nuk e tremb gjermanin Thomas Müller. Ka disa ditë që mediet sportive hamendësojnë se kampioni i botës është praktikisht “i dëbuar” nga formacioni prej 26-vjeçarit, por kushdo që dje ndoqi dy ndeshjet e Bayern-it në Kupën “Telekom” është bindur se nuk është e thënë.

Müller ishte thjesht spektakolar, duke asistuar dhe shënuar. Dakord, ai humbi një penallti, gjë që nuk e ka për herë të parë, sepse në dy vitet e fundit sikur e ka lëshuar fare dorën me to, por tregoi se nuk ka ndërmend të shijojë spektaklin e të tjerëve. Faktikisht, i gjithë “ansambli” bavarez funksionoi për mrekulli, duke marrë parasysh se lojtarët kanë pak ditë që stërviten së bashku.

I pyetur nëse performanca e tij ndikoi për të fituar “pikë”, multifunksionali Thomas u përgjigj: “S’është kjo çështja. Jam i lumtur kur ekipi fiton dhe akoma më i lumtur nëse ndihmoj për të fituar. Besomëni, nuk e kam mendjen që të shkëlqej më shumë se lojtarët e tjerë, nuk e synoj fare këtë”.

🏆 #FCBayern win the #TelekomCup again! 🥇 #SVWFCB #Mood #Müllered #ThomasMüller

A post shared by FC Bayern Official (@fcbayern) on

Pyetja e dytë qe edhe më ngacmuese. Transferimi më i kushtueshëm në histori i Bayern-it deri tani është Corentin Tolisso, por pak po flitet për të, sepse mediet e kanë përqendruar vëmendjen, ashtu si edhe tifozët, te Rodriguez. A u “harrua” dje francezi? Müller mendon se jo. “Këto gjëra ne lojtarët nuk i shohim. Të dy po përpiqen që të përshtaten shpejt. Ndoshta ju mediet i diferenconi, por ajo që kam parë në stërvitje ditët e fundit është se kemi marrë dy lojtarë të cilët kanë talent dhe duan të njohin skuadrën e tyre të re”, – argumentoi bavarezi.

A është Müller i frikësuar nga konkurrenca? “Skuadra është e nivelit të lartë. Gjithmonë ka qenë. Kjo do të jetë një histori interesante. Të shohim si do të shkojë”, – përfundoi ai.

 

Më shumë nga Bundesliga