Connect with us

Kampionati Shqiptar

Javë e zezë për gjyqtarët, Jorgji dhe Meta janë për “burg”

Enea Jorgji e “shpik”, e jep penalltinë kur nuk është ndaj Luftëtarit, duke ndikuar drejtpërdrejt në fitoren e Flamurtarit.

Enea Jorgji e “shpik”, e jep penalltinë kur nuk është ndaj Luftëtarit, duke ndikuar drejtpërdrejt në fitoren e Flamurtarit. Kridens Meta bën të kundërtën në Shkodër, bashkë me ndihmësit e tij, edhe pas portës, duke i mohuar Partizanit një penallti fare të dukshme, në momentin e ndërhyrjes së dënueshme të Bicajt ndaj Boniface. Pretendime për gjykimet ka pasur thuajse në çdo sfidë të këtij “stacioni” të garës, si në Durrës e kryeqytet, me gola të anuluar e penallti të diskutuara të dueleve Teuta-Kukësi dhe Tirana-Laçi. Thënë më shkoqur, java e 29-të ka qenë e zezë për arbitrimet, teksa “bilbilat” kanë ndikuar drejtpërdrejt në rezultat. Kështu ndodhi në Gjirokastër, ku kryesori me stemën e FIFA-s, Enea Jorgji, që tashmë i ka bërë të tijat gafat, në mënyrë periodike, pa i hyrë “gjemb në këmbë”, akordoi një penallti të paqenë në favor të vlonjatëve, që u kthye në golin e humbjes për Luftëtarin. Edhe në Shkodër pati ankesa të fuqishme nga të kuqtë në drejtim të “bluzave të zeza”, ndërsa në moviolat e mbrëmjes u konfirmua një penallti neto, e padhënë në favor të Partizanit, pas një ndërhyrjeje të gabuar të Bicajt, në rrëshqitje, kundër Boniface.

Bujar Pregja, një nga drejtuesit e lartë të sektorit përkatës në FSHF, në rolin e moviolistit të “Procesi Sportiv” (Top Channel) evidentoi rastin e diskutueshëm të ndeshjes Luftëtari-Flamurtari. Sipas tij, ndaj Dejvi Bregut ka pasur faull brenda zonës vlonjate në fillim të lojës. Pra, nuk është akorduar penallti për bluzinjtë. “Në këtë moment shohim që ka një pengim në zonë ndaj Bregut. Mendoj se duhej ndëshkuar me karton, por edhe me 11-metërsh”, – deklaroi shefi i sektorit të arbitrave në FSHF. Referuar penalltisë së dhënë në favor të Flamurtarit, e cila solli edhe golin e fitores, Pregja shtoi: “Mendoj se ishte faull jashtë zone dhe jo 11-metërsh”. Në një ekran tjetër televiziv, po në rolin e moviolistit, ka qenë Sokol Jareci, edhe ky drejtues i lartë në FSHF për “bluzat e zeza”. Ai ka analizuar disa fragmente nga ndeshja Luftëtari-Flamurtari. “Në rastin e 11-metërshit, që iu dha ekipit vlonjat, arbitri Enea Jorgji nuk ka vepruar drejt. Mendoj se nuk është as faull në këtë dyluftim, pasi janë trup më trup. Megjithatë, edhe nëse do të ishte ndërhyrje e parregullt, duhej ndëshkuar me goditje dënimi, pasi aksioni nis në hyrje të zonës së Luftëtarit dhe jo brenda saj. Vendim i gabuar”.

Jareci ka nënvizuar edhe momentin e ndërhyrjes pa top të Bicaj ndaj Boniface, në ndeshjen Vllaznia-Partizani, kur duhej akorduar penallti. Një nga gabimet me peshë të Kridens Metës në këtë ballafaqim, që duket se ka ndikuar në rezultat. Të drejta pretendimet e Starovës pas barazimit me kuqeblutë, teksa tha se arbitrimi bëri mjaft gabime. Natyrshëm, duke parë këtë situatë, lind pyetja: Çfarë bën FSHF-ja në këtë drejtim? Pse nuk veprohet me dorë të hekurt? Pse një stemë e FIFA-s, si Enea Jorgji, vetëm sa “ledhatohet”, edhe pse akordon penallti nga më të çuditshmet, si ajo në Durrës, në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë, ndaj Vllaznisë, apo dje, në Gjirokastër? Nëse flitet për gabime njerëzore, më e pakta arbitri elbasanas nuk është në rregull me profesionin, le ta ndërrojë atë, nëse është “një mashë” në duart e të tjerëve, edhe më keq. Skandaloze, po qe se ekziston më realja në fakt, nëse Jorgji, Meta e të tjerë i bien bilbilit vetëm sipas “muzikës” së këtij apo atij presidenti, të parave të tyre, që shpien në kësi bëmash të turpshme…

Standings provided by Sofascore LiveScore

Më shumë nga Kampionati Shqiptar