Boks

Jeff Horn dorëzon titullin, Crawford kampioni i ri i botës në peshën “welter”

Amerika dhe Las Vegasi nuk i kanë sjellë fat australianit Jeff Horn, që në përballjen e parë në “tokën e premtuar” ka pësuar disfatën e parë në karrierë (ka edhe 18 fitore e një barazim). Ish-kampioni i botës në peshën “welter” në kategorinë WBO, u mund sot me “KO teknik” në raundin e nëntë nga amerikani Terence Crawford (33 fitore dhe asnjë humbje), duke marrë edhe titullin kampion bote. Gjyqtari ndali duelin në mesin e raundit të nëntë, duke parë vështirësitë e australianit, që nuk e përballoi dot ritmin dhe grushtet e rivalit amerikan.

Horn nuk dha atë që pritej në ring, duke mos qenë shumë i kujdesshëm në mbrojtje, ndërsa e kundrëta ndodhi me Crawford, që me grushte të shpejtë dhe në afërsi, e vuri në vështirësi australianin. Edhe pse ish-kampioni i botës e nisi më mirë sfidën në dy raundet e para nuk e ruajti këtë ritëm deri në fund, pasi rivali amerikan ishte më i suksesshëm në gjuajtjet e tij.

Pavarësishty këtij rezultati, janë të shumtë ata që mendojnë se gjyqtari Robert Byrd e ndali para kohe duelin, i njëjti gjyqtar që vjet gjykoi sfidën mes Mayweather dhe McGregor. “Jam i zhgënjyer nga sa ndodhi, por nuk jam aspak i dëmtuar. Këto janë gjëra që ndodhin. Kjo është humbja ime e parë në boks, por unë do të vazhdoj të dueloj dhe do të rikthehem kampion”, tha Horn.

Më shumë nga Boks