Gossip

Jeta dhe karriera e jashtëzakonshme e Roger Federer, tenisti më i paguar në botë

Tenisti zviceran Roger Federer, aktualisht numri 2 në botë, është një nga sportistët më të suksesshëm të të gjitha kohërave. Ai e ka fituar 8 herë grand slam e Wimbledon që nga viti 2003 dhe në total numëron 20 grand slam të fituara në karrierën e tij.

36-vjeçari nuk është vetëm një nga sportistët më të talentuar në histori, por edhe një nga më të paguarit. Forbes e ka vlerësuar si tenistin më të paguar për vitin 2018, duke fituar 78 milionë dollarë nga turnetë ku ka marrë pjesë apo nga kontratat me sponsorët si Rolex apo Credit Suisse.

Dhe kjo shifër do të rritet edhe më shumë, pasi zvicerani sapo nënshkroi një kontratë me firmën Uniqlo, nga e cila do të përfitojë 300 milionë euro.

Nga fushat e tenisit deri në kontratat e majme me sponsorët, ja se si Federer ka ndërtuar këtë pasuri dhe si e ka shpenzuar atë.

Roger Federer, 36 vjeç, është tenisti më i paguar në botë. Pasuria e tij mendohet se arrin shifrën e 450 milionë dollarëve.

Roger Federer, 36 vjeç

Bazat e suksesit të tij janë hedhur që në moshën 8-vjeçare, kur nisi të luajë tenis. Roger ka lindur në Basel, Zvicër, më 8 gusht të vitit 1981, me baba zviceran (Robert Federer) dhe nënën nga Afrika e Jugut (Lynette Du Rand), të cilët e kanë inkurajuar të luajë tenis që në moshë të vogël. Të dy punonin në të njëjtën kompani farmaceutikë.

Në moshën 14-vjeçare u bë kampion i Zvicrës për kategorinë junior, ndërkohë që hyri në cirkuitin e kësaj kategorie në vitin 1996, duke fituar titullin kampion për kategorinë junior në grand slam e Wimbledon në vitin 1998.

Federer ne kategorine junior

Fitorja e parë e rëndësishme e Federer erdhi në vitin 2003, kur korri trofeun e parë në grand slam e Wimbledon, pas fitores në finale ndaj Mark Philippousis. Asokohe ai ishte vetëm 21 vjeç, duke fituar 714 mijë dollarë.

Roger Federer me trofeun e pare te fituar ne Wimbledon

Një vit më vonë, ai nënshkroi një marrëveshje me kompaninë e orave Maurice Lacroiz. Më vonë, Rolex arriti një marrëveshje me Federer me vlerën e 15 milionë dollarëve.

Roger Federer njihet nga të gjithë si një prej ambasadorëve të Rolex në botë dhe sa herë që ngre lart një trofe vendos në dorë orën e kësaj firme. Secila prej tyre zgjidhet nga Rolex për eventin ku tenisti merr pjesë.

Pjesa më e madhe e shumës prej 78 milionë dollarë është arritur nga marrëveshjet që ai ka patur me partnerët e ndryshëm, me të cilët Federer ka marrëveshje në çdo cep të botës. Rreth 12,5 milionë dollarë kanë ardhur nga sukseset e tij në turnetë ku ka marrë pjesë dhe ka fituar.

Në vitin 2007 ai nënshkroi një marrëveshje me Gillette dhe mori pjesë në disa reklama për këtë kompani.

Federer me fansat

Në vitin 2008 ai nënshkroi një marrëveshje sponsorizimi me Nike, me një vlerë 120 milionë dollarë. Kjo marrëveshje me Nike skadoi në mars të 2018-ës dhe Federer vendosi të nënshkruajë me një firmë të re, Uniqlo.

Kepucet e personalizuara te Nike

Nga kjo marrëveshje e re me Uniqlo, Federer ka përfituar një shumë me vlerën e 300 milionë dollarëve.

Para grand slam të Wimbledon, zvicerani tha se kishte kohë që bisedonte me firmën japoneze për këtë marrëveshje.

Në vitin 2009, Federer nënshkroi një tjetër marrëveshje 10-vjeçare, këtë herë me Credit Suisse. Asokohe, kjo marrëveshje ishte në vlerën e 20 milionë dollarëve.

Federer me bluzen me sponsorin e ri Uniqlo

Federer njihet edhe për aktivitetet e tij të bamirësisë. Në vitin 2003 ka themeluar fondacionin që mban emrin e tij, që mbështetet projektet e edukimit në Afrikë dhe Zvicër. Vetëm në vitin 2017, fondacioni i tij përfitoi 8,5 milionë dollarë.

Edhe pse i angazhuar në turne, Federer gjen gjithnjë kohë për të takuar fëmijët afrikanë që përfitojnë nga kjo bamirësi.

Si një sportist i dedikuar, ai ka shpenzuar shumë parà për pajisjet e tij sportive. Ai ka raketën e tij të lojës të bërë nga P1, një kompani e cila furnizon edhe Novak Djokovic e Andy Murray.

Federer i pëlqen të jetë elegant edhe në jetën e tij private gjithashtu. Në vitin 2014, ai realizoi ndërtimin e një vile luksoze në liqenin e Zyrihut, e cila përflitet se i ka kushtuar tenistit 8,1 milionë dollarë.

Përveç kësaj, ai zotëron edhe prona të tjera në Zvicër si dhe një vilë në Dubai, ku kalon një kohë të madhe duke u trajnuar gjatë vitit.

Vila e Federer në liqenin e Zyrihut

Falë rolit si ambassador i Mercedes-Benz, tenisti zotëron edhe një numër të madh makinash që i ka si koleksion. Partneriteti i Federer me Mercedes-Benz ka nisur në vitin 2008 dhe më pas nënshkroi një marrëveshje një vit më vonë. Ky bashkëpunim disa-vjeçar mendohet se i ka sjellë tenistit një fitim prej 5 milionë dollarësh në vit.

Këtë vit, Federer fitoi një makinë CLS 450 4Matic Coupe (vlera 76 mijë dollarë) në turneun e Shtutgardit, në Gjermani, në turneun e “Mercedes Cup”.

Federer ne trofeun e “Mercedes Cup”

Edhe kur nuk është në fushën e lojës, Federer është një njeri shumë aktiv dhe merr pjesë në disa evente. Në vitin 2017 mori pjesë në “Running Wild” me Bear Grylls.

Por me gjithë këto aktivitete, Federer i pëlqen të argëtohet në kohën e lirë. Ai është ambasador i shampanjës “Moet & Chandon”, e cila kohët e fundit ka nxjerrë në shitje një sasi të limituar prodhimi me rastin e 20-të vjetorit të karrierës së tenistit.

20 shishet e përgatitura u shitën me vlerën e 23 mijë dollarëve/shishe, por të gjitha të ardhurat shkuar për fondacionin e Roger Federer.

🎧🎼🍾 #moetmoment

A post shared by Roger Federer (@rogerfederer) on

Pasi fitoi për të 8-n herë grand slame Wimbledon, në vitin 2017, të nesërmen Federer tha se është zgjuar me dhimbje koke. “Kam fjetur në orën 5 të mëngjesit, por u zgjova herët dhe nuk ndihem mirë. Për ndonjë orë do të bëhem më mirë, por jam i lumtur për këtë gjë”.

Kur Federer shkon për të ngrënë darkë, ai provon specialitete të ndryshme ushqimesh. “Më pëlqen ushqimi italian, japonez dhe restorantet indiane”, ka thënë së fundi Federer.

Federer feston pas nje trofeu te fituar

Një pjesë e mirë e pasurisë së tij është shpenzuar në dasmën që bëri me ish-tenisten profesioniste Mirka Vavrinec, në Bazel të Zvicrës.

Puthja e tyre e parë është dhënë në Sidney, gjatë Lojarave Olimpike të vitit 2000, ndërsa janë martuar në vitin 2009.

Ata kanë dy çifte binjakësh. Vajzat quhen Charleyne Riva dhe Myla Rose, nga 8 vjeçe dhe dy djem, Lenny dhe Leo, nga 4 vjeç.

Bashkëshortja është këshilltarja e Roger në veshjen e tenistit. “Veshja vetëm atlete, xhinse dhe bluza të stërvitjes para se të takoja Mirkën. Ajo edhe mund të ishte larguar kur më shihte kështu. Më pyeti: A je i sigurt me paraqitjen tënde”.


Gabimi më i madh në veshjen e Federer ishte kur ai fitoi Wimbledon në vitin 2007. “Shkova të merrja trofeun dhe po ecja në fushë, por isha nervoz. Nisa të fusja duart në xhep dhe aty kuptova që i kisha veshur pantallonat mbrapsht, pasi xhepat ishin nga pas. I thashë vetes: Tani është vonë, nuk kam më kohë për t’i ndërruar. Ngrita lart trofeun dhe pantallonat ishin veshur mbrapsht. Nëse do të shihni me kujdes fotografinë do ta kuptoni se pantallonat janë veshur mbrapsht”.

Në gusht, Roger do të festojë 37-vjetorin e lindjes, por Federer është ende favorit për të fituar turne në fushat e tenisit.

Federer me Wimbledon 2007, me pantallonat mbrapsht

Më shumë nga Gossip