MMA

Jon Jones pozitiv edhe në “testin B” të kontrollit antidoping

Agjensia Amerikane Antidoping (Usada) ka deklaruar se edhe rezultatet e “testit B” antidoping të marra në urinën e Jon Jones, pas duelit të UFC-214 të fituar ndaj Daniel Cormier, kanë konfirmuar pozitivitetin e kampionit të botës së arteve marciale mikse në peshën e “light heavyweight”. Edhe në këtë test të dytë të kryer më 29 korrik është zbuluar prania e substancës së ndaluar “turinabol”, një steroid që nuk lejohet dhe që është gjetur në urinën e sportistit ashtu si në rastin e testit të parë (më 28 korrik), që është bërë 24 orë para duelit.

Jon Jones feston pas duelit me Cormier

Lajmin e ka konfirmuar Jeff Novitzky, zv.presidenti i UFC-së, që ka thënë se në të dyja rastet është konfirmuar e njëjta substancë e ndaluar. Për pasojë, Jon Jones, që është një nga ikonat e arteve marciale mikse, rrezikon një pezullim 4-vjeçar nga të gjitha eventet e UFC-së. Jo vetëm kaq, por atij pritet që t’i hiqet titulli kampion që fitoi në duelin ndaj Cormier. Kjo nuk është hera e parë që ai ka probleme me dopingun, pasi është pezulluar edhe më parë, ashokohe për një vit, teksa ka dalë pozitiv në UFC-200.

UFC 214, Jones mund Cormier dhe rikthehet kampion bote

Sipas mediave amerikane, pritet që Jon Jones të raportojë për këtë çështje para Komisionit të Sportit dhe Etikës së Kalifornisë, që po shqyrton këtë ngjarje, më 17 tetor, në Los Anxhelos. Ai konsiderohet nga shumë fansa si sportisti më i fortë i historisë së arteve marciale mikse, por shpesh karriera e tij është njollosur me episode të tilla dopingu.

Nga sfida mes Jon Jones dhe Daniel Cormier

Më shumë nga MMA