Futboll

Josa: “Nuk e mendoj finalen, do të diskutoj me krerët e klubit”

Nuk ka fund turpi në kampin bardheblu, me trajnerin e Tiranës, Mirel Josa që në konferencën për mediat është shfaqur shumë i rezervuar në marrjen e përgjegjësive për aktin më të errët të historisë së klubit bardheblu, atij më të titulluar në Shqipëri, rënien nga kategoria e elitës së futbollit. Madje, tashmë Josa është plotësisht i fokusuar dhe po konsideron mundësitë për ngushëllimin psikologjik të futbollistëve, teksa me qetësi vijon të mbajë rolin e trajnerit, në pritje për të diskutuar me drejtuesit e Tiranës.

“Nuk kam fjalë fare për të diskutuar për këtë çështje. E patë vetë se sa dramatike ishte situata në dhomat e zhveshjes. Nuk mbetet gjë tjetër veçse të ndihmojmë që të ngrihen moralisht këta djem, pasi s’mbetet gjë tjetër, kur ekipi ra nga kategoria. Më vjen keq për djemtë dhe për fanellën. Nuk duhej të shkonte kjo punë deri këtu, kur Tirana të ndeshej me Vllazninë për mbijetesë. Gjithsesi Vllaznia bëri punën e vet. Nuk duam as të nxjerrim justifike e pretekste, dola në konferencë për shtyp vetëm për të respektuar mediat dhe futbollistët. Në këto momente nuk mendoj fare për finalen e Kupës së Shqipërisë. Do të diskutoj me drejtuesit e klubit dhe futbollistët, duke nisur nga tani gjatë rrugës së kthimit”, deklaroi trajneri i Tiranës, Mirel Josa.

Më shumë nga Futboll