Futboll

Josa: “Nuk luhet futboll me frikë, gjithçka varet nga personaliteti i futbollistëve”

Aspak i dorëzuar dhe aq më pak përgjegjës për këtë krizë të bardhebluve është shfaqur trajneri i Tiranës, Mirel Josa, në përfundim të ndeshjes në transfertë ndaj Luftëtarit, që serviri edhe humbjen e radhës për 24 herë kampionët, në serinë e 9 ndeshjeve pa fitore në epokën e teknikut aktual. Përkundrazi, Josa ia ka faturuar në mënyrë indirekte futbollistëve të gjithë këtë dështim në gjetjen e rezultateve, duke deklaruar se gjithçka varet nga personaliteti i lojtarëve dhe se problemi i Tiranës është frika. Duke përfituar nga rasti, Josa u bëri publikisht apel të tijëve që të mos luajnë futboll me frikë.

Luftëtari-Tirana 2-1. Shënues: Lamçja 55’, Bregu 72’ / Cisse 90’+1.

“E interpretuam mirë lojën në pjesën e parë dhe mund të shënonim në disa raste që krijuam, pasi ishim mirë në përgjithësi. Pjesën e dytë e nisëm keq, e humbnim topin me këmbët tona. Pas golit ndryshuam rreshtim, kurse pasi pësuam sërish u çekuilibruam. Hodhëm tërë potencialin sulmues që kishim në dispozicion, por nuk ia dolëm. Pasi e rihapëm ndeshjen, nuk kishim qetësinë e duhur për ta ndëshkuar sërish kundërshtarin që u kap nga paniku. Gjithçka varet nga personaliteti i futbollistëve. Kam besim te skuadra, prandaj jam këtu. Përpara ndeshjes i thashë ekipit që të mos humbnim identitetin dhe karakteristikat që treguam ndaj Skënderbeut. Pastaj, edhe mungesat bëjnë të vetën. E përsëris, problemi ynë është frika. Nuk luhet futboll me frikë”, deklaroi ndër të tjera trajneir i Tiranës, Mirel Josa.

Më shumë nga Futboll