• Josa: Po menduam ndeshjen e radhës, jemi në garë për titull

    Publikuar: 27 Dec 3:34

    Tirana, edhe pse nuk është e plotë në organikë, i vijon seancat stërvitore për vitin 2016. Nën urdhërat e trajnerit Mirel Josa janë kryesisht të rinjtë, sepse “senatorët” dhe jabanxhinjtë kanë ikur me pushime. Duke djersitur këto ditë fundviti në stërvitje, disa lojtarë kanë mundësinë që të bëhen pjesë e ekipit të parë në gjysmën e dytë të sezonit. Nëse ndonjëri prej tyre do ta meritojë, Josa nuk ka ndërmend të hezitojë ta bëjë pjesë të formacionit. Duke folur pas stërvitjes së sotme, trajneri i bardhebluve nënvizoi mes të tjerash:

    josa-web-658x370

    “Po stërvitemi me një grup lojtarësh, që duan të tregojnë veten se vlejnë. Mua si trajner nuk më pëlqen shumë pushimi, megjithëse shumë lojtarë kanë marrë leje për të shkuar pranë familjeve të tyre. Synimi im në këto stërvitje të fundvitit është ndjekja e lojtarëve të rinj, që kanë pretendime për t’iu bashkuar skuadrës së parë, apo për të luajtur më shumë minuta. Objetivi i Tiranës është ndeshja e radhës, e kam përsëritur sa e sa herë. Në bazë të rezultateve që do të arrijmë do të revizionojmë objektivat tanë. Titulli kampion? Skuadrat kryesuese nuk janë shumë larg, me dy rezultate pozitive situata mund të ndryshojë menjëherë, megjithatë e përsëris se duhet të shohim vetëm takimin e radhës.

    josa

    Merkato? Tirana ka nevojë për përforcime, për thellësi dhe kur e them këtë nuk e kam fjalën për elementë që përshtaten në role të ndryshme. Dua futbollistë që na bëjnë të mos i ndiejmë mungesat për pezullime apo dëmtime. Megjithatë, ndërhyrjet në merkaton e janarit do të jenë të vogla, sepse është e vështirë të gjesh element cilësorë të lirë. NJë problem është edhe numri i të huajve. Ne kemi gjashtë lojtarë afrtikanë nën kontratë dhe nuk mund të marrim të tjerë, sepse ka kosto financiare për klubin. Nëse katër prej tyre e kanë konfirmuar veten për vazhdimësinë, me dy prej tyre duhet të presim çfarë do të ndodhë. Nuk mund të përmend emra, pasi varet nga bisedimet që do të ketë klubi me ta.”


    Lexo postimet e tjera