• Josa: Prekja me dorë evidente, por kompetencë e arbitrit

    Publikuar: 20 Feb 8:58

    Skuadra e Tiranës ka pësuar sot një goditje të shumëfishtë pasi ka regjistruar disfatën e parë në derbi për këtë sezon, duke u mundur me rezultatin 2-1 nga Partizani, por njëherësh ka numëruar edhe humbjen e katërt radhazi në kampionat. Një bilanc aq negativ sa që në përfundim të javës së 22-të, e renditur në vend të 5-të, numëron vetëm 27 pikë, po aq sa Vllaznia, plot 19 pikë larg kreut të klasifikimit të mbajtur nga Kukësi, me 16 pikë më shumë se Korabi i vendit të fundit dhe vetëm 7 pikë epërsi nga Flamurtari i vendit të parafundit që është në zonën e akullt. Statistika këto që tashmë, sikurse edhe e pranoi, kanë nisur të trembin edhe vetë trajnerin bardheblu Mirel Josa. Ky i fundit, e ndan analizën e tij në dy pjesë, përkatësisht atë të parën ku 24-herë kampionët u shfaqën më cilësorë dhe në të dytën ku ekipi humbi balancën dhe administrimin e lojës.

    “Prekja me dorë është evidente, janë kompetenca metrash nëse do ta jepte ose jo arbitri. Këto gjëra i vendos arbitri. Në përgjithësi nga fillimi i pjesës së dytë nuk jam i kënaqur fare, ndërkohë që pjesa e parë ishte më e mirë për ne. Nga momenti i pësimit të golit të dytë gabuam nga krahu i majtë. Kishte momente që e kishim lojën në kontroll, por kishte edhe momente të tjera që e humbëm nga kontrolli. Në momentet që zotëronim topin në qendrën e mesfushës nuk arritëm të bënim atë pasimin që do të na jepte mundësinë e zotërimit të lojës. U goditëm në momentin që vendosëm të bënim ndryshime. I dimë forcat tonat në sulm dhe shpesh varet nga një moment i veçantë. Me forcat që kemi nuk mendoj se do të bëja ndryshime nëse loja do të niste tani nga e para. Është normale që katër humbje janë shumë për Tiranën. Humbja në derbi nuk është aspak e mirë për ne, por tani të shohim drejt ndeshjes së ardhshme në Vlorë ndaj Flamurtarit. Jam i shqetësuar tani për afrimin e ekipeve të fundit të klasifikimit”, deklaroi ndër të tjera trajneri i Tiranës, Mirel Josa.


    Lexo postimet e tjera