• Josa: Titulli i arritshëm, merkato është e kushtëzuar…

    Publikuar: 28 Dec 3:08

    Tirana e mbylli pjesën e parë të sezonit në vendin e katërt në kuotën e 27 pikëve, me një diferencë prej 5 pikësh nga vendi i tretë dhe po kaq nga vendi i 5-të. Pas dy fazave të para mund të themi që bardheblutë janë brenda objektivave, pasi synimi kryesor është rikthimi në Europë. Megjithatë trajneri Mirel Josa, thotë se edhe titulli është i mundur pasi diferenca nuk është shumë e madhe me kryesuesit. “Objetivi i Tiranës është ndeshje e radhës. Në bazë të rezultateve që do të arrijmë do të kemi objektivat tanë. Titulli? Skuadrat kryesuese nuk janë shumë larg, me dy rezultate pozitive situata mund të ndryshojë menjëherë, megjithatë e përsëris duhet të shohim takimin e radhës”, tha Josa.

    josa-2

    24 herë kampionët kanë disa sezone që vuajnë për një sulmues cilësor, por edhe në këtë merkato duket e vështirë të mbërrij një bomber i vërtetë. “Tirana ka nevojë për thellësi dhe kur e them këtë nuk e kam fjalën për elementë që përshtaten në role të ndryshme, por për futbollistë që na bëjnë të mos i ndiejmë mungesat qoftë për pezullime apo për arsye dëmtimesh. Megjithatë ndryshimet do të jenë të vogla. Ne kemi gjashtë lojtarë afrikanë në skuadër dhe nuk mund të marrim të tjerë, sepse ka kosto financiare për klubin. Nëse katër prej tyre e kanë konfirmuar veten për vazhdimësinë me dy prej tyre duhet të presim se çfarë do të ndodhë. Nuk mund të përmend emra, pasi varet nga bisedimet që do të ketë klubi me ta”, shtoi tekniku i bardhebluve.

    josa-1

    Josa gjatë këtyre ditëve nuk e ka të gjithë grupin në dispozicion pasi pjesa më e madhe e futbollistëve kanë marrë leje për t’i kaluar festat me familjen. Kjo është një mundësi e mirë për të rinjtë të tregojnë veten. “Nuk dua që periudha e pushimeve të jetë e gjatë, megjithëse shumë lojtarë kanë marrë leje për të shkuar pranë familjeve të tyre. Në këto stërvitje të fundvitit dua të shoh edhe ata lojtarë të rinjë që kanë pretendime për të qenë pjesë e skuadrës së parë apo për më shumë minuta”.


    Lexo postimet e tjera