Boks

Joshua: I njoh të gjitha sekretet e Parker, titujt do t’i ngrej lart unë

Boksieri britanik Anthony Joshua është tallur sot me kolegët e tij, duke thënë se amerikani Deontay Wilder bokson si ndaj “mullinjve të erës”, ndërsa për neo-zelandezin Joseph Parker tha se është një rival i lehtë dhe “klinik” në boksim. Më 31 mars, Joshua do të zhvillojë duelin që do të sjellë unifikimin e titujve kampionë bote në peshat e rënda ndaj Parker, sfidë që do të zhvillohet në Kardif, ku Joshua do të mbrojë titujt e kategorive IBF dhe WBO, ndërsa Parker atë të kategorisë WBA. “E kam studiuar mjaft mirë Parker se si duelon, godet një herë me të majtën e më pas më të djathtën. Nëse nuk të prek me të majtën, e djathta mund të të godasë nëse je në lëvizje dhe në shumicën e rasteve ai i ka hedhur kështu në tapet rivalët e tij”, tha Joshua.

Shifrat e boksiereve Parker dhe Joshua

Të dy boksierët po stërviten në maksimum për të dhënë më të mirën e tyre në duelin e 31 marsit, për të ruajtur pathyeshmërinë në ring. “Respekti është maksimal për Parker, të dy vijmë në këtë përballje si të pamposhtur. Por kam punuar fort për të marrë këto tituj, për të ardhur deri këtu. Jemi si dy luanë në mes të një fushe që duelojnë për të mbizotëruar në territorin e përbashkët. Të dy synojmë fitoren, por këto janë sfida që nuk do t’i humbas, pasi objektivat e mi janë madhorë, të pakrahaueshëm me ato të Parker. Jam i sigurt se fansat e mi nuk do të zhgënjehen dhe në fund do të festojmë të gjithëe së bashku”, deklaroi më tej Anthony Joshua, 20 fitore në karrierë, të gjitha me KO, ndërsa Parker numëron 24 fitore (18 me KO) në karrierën e tij.

Më shumë nga Boks