Boks

Joshua mund të humbasë një titull edhe nëse fiton ndaj Klitschko

Boksieri britanik Anthony Joshua, në rast se fiton sfidën e 29 prillit ndaj ukrainasit Wladimir Klitschko, mund të nxjerrë vakant një nga dy titujt kampionë bote që do të mbajë pas duelit. Joshua do të mbrojë titullin e kategorisë IBF, ndërkohë që nëse fiton merr edhe titullin e kategorisë WBA (është vakant). Por ashtu si Tyson Fury një vit më parë, që iu hoq titulli i kategorisë IBF (refuzoi sfidantin e propozuar nga kjo e fundit), pasi do të zhvillonte revanshin me Klitschko edhe Joshua mund të ketë të njëjtin fat. Pra, dhimbjet e kokës kanë nisur që tani për britanikun edhe pse gjithçka do të varet nga rezultati i përballjes me ukrainasin.

Boksieret Anthony Joshua dhe Wladimir Klitschko

IBF ka kërkuar që Joshua, pas duelit me Klitschko, të mbrojë titullin ndaj Kubrat Pulev, por tjetër objektiv kanë drejtuesit e WBA-së, të cilët kanë mandatuar Luis Ortiz. Pra, Joshua mund të gjendet përballë një vendimi të vështirë, ku i duhet të vendosë dhe të zgjedhë rivalin. “Ne do të mundohemi të plotësojmë dëshirën e të dyja kategorive, duke mbrojtur fillimisht titullin ndaj Pulev dhe më pas ndaj Ortiz, për t’i mbajtur të dy titujt”, pat thënë kohë më parë Eddie Hearn, menaxheri i Joshua dhe organizatori i këtij dueli të madh me Klitschko. Gjithsesi, gjithçka do të vendoset pas duelit Joshua-Klitschko dhe se cili do të jetë fituesi para 90 mijë shikuesve.

Më shumë nga Boks