Boks

Joshua, pas Pulev transferohet në Las Vegas për sfidën e radhës

Eddie Hearn, promotori i boksierit britanik Anthony Joshua, ka deklaruar se vitin e ardhshëm kampioni i botës në peshat e rënda do të debutojë në Las Vegas, ku pritet të zhvillojë sfidën e tij të parë jashtë Britanisë së Madhe. Joshua, kampion bote në peshat e rënda në kategorinë IBF dhe WBA, do të mbrojë më 28 tetor titujt kampionë bote në peshat e rënda ndaj bullgarit Kubrat Pulev. Pas kësaj sfide, britaniku pritet të “transferojë ringun” në Las Vegas, ku ende nuk ka zhvilluar asnjë përballje.

Anthony Joshua dhe Eddie Hearn

Lajmin e ka konfirmuar Hearn, që tha: “Pas duelit me Pulev, sfida e radhës do të jetë në Las Vegas. Më pas, do të kërkojmë unifikimin e titujve kampionë në peshat e rënda. Ndoshta do të duelojmë me Wilder gjysmën e dytë të 2018-ës, pasi të jemi mësuar edhe me Las Vegasin”, tha Hearn, që nuk ka hedhur poshtë edhe mundësinë e një duel në Lindjen e Mesme, ku Joshua ka shumë kërkesa dhe të ardhura më të mëdha. “Lindja e mesme është një mundësi e mirë dhe mund ta marrim në konsideratë si alternativë”, tha Hearn.

Wilder fton Joshua per duel ne Amerike

Gjithsesi, sfida ndaj amerikanit Deontay Wilder, kampionin tjetër të botës në peshat e rënda, në kategorinë WBC, mund të bëhet në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, pasi Joshua të mësohet me ringun amerikan. Wilder ka kohë që e thërret për sfidë boksierin britanik, që ende nuk ka zhvilluar asnjë sfidë jashtë Britanisë së Madhe, ku ka ndërtuar të gjithë suksesin e dhe famën e tij, me 19 fitore e asnjë humbje si profesionist.

Më shumë nga Boks