Bundesliga

Jupp rrezikoi me rotacionin, por ka një argument të fortë

Jupp rrezikoi me rotacionin, por ka një argument të fortë

Hamburger SV 0-1 Bayern München. Kush e priste? Trajneri Jupp Heynckes të shtunën befasoi me formacionin e zgjedhur kundër skuadrës së Mërgim Mavrajt, duke preferuar të bënte rotacion. Kjo e uli ritmin e ndeshjes dhe 72-vjeçari e pranoi hapur, me tifozët të cilët kishin pritur një goleadë si në përballet e mëparshme ndërmjet këtyre dy skuadrave klasike të Bundesligës.

“E kisha të qartë se do të ishte një ndeshje e vështirë për skuadrën. Luajtëm shumë ngadaltë në pjesën e parë dhe nuk gjetëm ritmin e duhur. Pasimet nuk i bëmë ashtu siç jemi mësuar dhe loja nuk ishte e nivelit të lartë. Sigurisht, është e vështirë ta mposhtësh HSV-në kur mbrohet. Luajtëm më mirë në pjesën e dytë dhe në fund patëm raste shumë të mira, por nuk patëm fat”, – u shpreh trajneri.

“Është e qartë se duhej të fitonim dy ndeshjet e para në kampionat dhe atë në Champions League. Kemi një program të ngjeshur për javët në vazhdim dhe duhet të presim që të gjithë lojtarët të jenë gati”, – shtoi Heynckes.

Në fund të reagimit të tij për rezultatin e ngushtë, fituesi i tripletës 2013 argumentoi se nuk luajti me lojtarë stoli, por me yje të nivelit ndërkombëtar. “Sigurisht, e mora një farë rreziku, edhe pse katër nga pesë prej atyre që zgjodha për të luajtur janë lojtarë kombëtaresh. Na mungoi harmonia dhe, sidomos në pjesën e parë, ritmi i lojës“.

Më shumë nga Bundesliga