Nations League

Justifikohet Ramos: Anglia është një kundërshtar i klasit botëror…

Sergio Ramos shpreson se tifozët mund të vazhdojnë të besojnë te kombëtarja e Spanjës, pas humbjes së Ligës së Kombeve (3-2) në shtëpi, me Anglinë, të hënën. “La Roja” dështoi në një ndeshje konkurruese në shtëpi për herë të parë që nga viti 2003, duke përfunduar një cikël prej 38 ndeshjesh pa humbje.

Ishin gjysmëfinalistët e Kupës së Botës së Rusisë, ata që iu dhanë leksione iberikëve në Sevilla. Anglia shënoi tre gola në një pjesë të parë mahnitëse, para se të mbijetonte nga një sulm i dyfishtë i vendësve, me golat e Paco Alcacer dhe kapitenit Sergio Ramos. Ata e zvogëluan defiçitin rezultativ për Spanjën, por nuk evituan dot disfatën.

Ishte humbja e parë e Spanjës në shtëpi ndaj Anglisë, që nga viti 1987, duke i dhënë fund fillimit të pamposhtur të Luis Enrique si trajner, pas emërimit të tij në korrik. Duke reflektuar mbi humbjen, Ramos, i cili shënoi “in extremnis”, tha për “Teledeporte”:

“Anglia është një kundërshtar i klasit botëror, sepse ka lojtarë shumë të rrezikshëm. Kishim aq shumë minuta për të shënuar tre gola, por nuk ia dolëm. Gjëja më pozitive ishte reagimi i ekipit. Bukuria e futbollit është se na jep mundësinë t’i përmirësojmë gjërat. Çaluam në lojë, pjesën e parë, ndërsa në gjysmën e dytë të ndeshjes, reagimi ynë ishte pozitiv.

Unë duhet ta falënderoj këtë qytet, i cili është mbështetës i madh për të luajtur futboll. Tifozët na mbështetën fuqishëm, ndërsa ne nuk mundëm t’iu përgjigjemi si duhet në fushën e lojës. Shpresoj që njerëzit të besojnë në këtë grup lojtarësh, në këtë kombëtare”.

Më shumë nga Nations League