• Juve dhe Allegri drejt rinovimit: Takimi, javën e ardhshme

    Publikuar: 21 Apr 9:54

    Kualifikimi në gjysmëfinalet e Champions-it, triumfi pa pësuar asnjë gol në dy ndeshje me Barcelonën, duke se i kanë vënë vulën përfundimtare rinovimit të Massimiliano Allegrit në stolin e Juventusit. Klubi bardhezi, në fakt, nuk kishte asnjë dyshim për të vazhduar me trajnerin aktual. E njëjta gjë edhe sa i takon Allegrit, por disa ndërhyrje të pretenduara nga jashtë (përflitej Arsenali) e intriguan disi këtë çështje. Sidoqoftë, trajneri livornez nuk e ka menduar ta tradhëtojë “Zonjën e Vjetër”. Për më tepër, siç ka përsëritur Marotta të enjten, për t’u ndarë nuk kanë arsye as njëra pale dhe as tjetra.

    “Përtej aspektit thjesht formal, të një kontrate që skadon në vitin 2018, konsideratat më të rëndësishme mes dy palëve janë të tilla, që marrëdhënia me Allegrin ka dhënë dobi për të gjithë. Nuk shohim asnjë shkak për ta ndërprerë këtë “martesë”. Kur dy palët e një marrëveshjeje janë të lumtura me ecurinë e përbashkët, vazhdimësia mbetet opsioni më i mirë”, – ka thënë drejtori i përgjithshëm i Juventusit. Në këtë pikë, mund të presim vetëm pak kohë për t’u ulur rreth një tavolinë dhe vënë firmën në kontratën e rinovimit.

    Moment që, siç shkruan “Corriere dello Sport”, mund të vijë javën e ardhshme, kur Juventus nuk do të ketë angazhime të mëdha. Hipoteza në këtë moment të fortë të marrëdhënies dypalëshe është rinovimi disavjeçar me Allegrin, i cili duket se do të bëhet Trapattoni i ri, ose Lippi në Torino, me të cilët bardhezinjtë patën hapur cikle të vërteta. Rinovimi, natyrisht, përfshin rishikim të termave financiarë, çka buron nga ajo që ka arritur Juventusi, i cili konsiderohet tashmë si ndër ekipet më të mëdha në Europë.


    Lexo postimet e tjera