Connect with us

Seria A

Juventus, ja çfarë ndryshon pas largimit të Bonucci-t

Pak lojtarë kanë pasur ndikimin e Leonardo Bonucci-t në rritjen e Juventus në këto vite të fundit, të karakterizuar nga suksese dhe trofe të fituar në nivel personal dhe nivel skuadre. Për këtë arsye do të duhet një sforcim psikologjik dhe taktik për të mbuluar boshllëkun e lënë nga mbrojtësi italian në skemat e trajnerit Allegri. Zgjidhja duhet gjetur sa më shpejt të jetë e mundur, për të mos ndalur vrapin drejt titullit të shtatë radhazi në kampionat dhe për të thyer tabunë Champions. Është e domosdoshme që shumë lojtarë të rrisin nivelin e tyre të lojës, duke filluar nga ata që kanë pasur më pak hapësira në mbrojtje, si Medhi Benatia dhe Daniele Rugani, deri te Miralem Pjanic, që do të ketë në duar më shumë se çelësat e mesfushës.

Duket se Juventus ka vendosur të kërkojë një mesfushor në vend që të gjejë një zëvendësues për Bonuçi-n. Alternativa kryesore është Kostas Manolas i Roma-s, por nëse nuk do të merret, nuk do të jetë një problem për drejtuesit bardhezinj. Rugani ka luajtur me më shumë rregullsi në krahasim me sezonin e debutimit në Torino, duke grumbulluar 1,558 minuta dhe 3 gola. Nëse 22-vjeçari synon të jetë lideri i mbrojtjes në të ardhmen, duhet të rrisë nivelin e lojës. Të jetë më i saktë në ndërhyrjet e tij, por kryesisht të tregojë karakterin e duhur dhe të jetë më agresiv. Do të ketë më shumë hapësira edhe për Benatia, i cili është larguar nga Bayern Munich për të luajtur me më shumë vazhdimësi, por, deri tani, ka grumbulluar vetëm 183 minuta më shumë. Kontributi i tij do të jetë shumë i rëndësishëm, edhe pse Andrea Barzagli do ta mbyllë karrierën pas këtij sezoni.

Pasi është hequr përfundimisht dorë nga mbrojtja me tre lojtarë, përpara Gigi Buffon duhet më shumë cilësi në mesfushë, sepse tani ndërtimi i aksioneve nuk do të kalojë më nga këmbët e Bonucci-t. Në pritje të rritjes së Rugani-t, kjo detyrë do t’i besohet Miralem Pjanic. Pjesa më e madhe e parave të fituara nga shitja e Bonucci-t do të investohet për të pasur më shumë fuqi dhe muskuj në mesfushë, që do ta ndihmonin boshnjakun ta bënte më mirë detyrën e tij. Nuk ka rëndësi nëse do të jetë Blaise Matuidi, Emre Can apo nemanja Matic, mjafton që Pjanic të ketë kohë të arsyetojë dhe ta ndërtojë në mënyrën e duhur aksionin. 4-2-3-1 është skema e preferuar e Allegri-t dhe pritet që të përdoret shpesh sezonin e ardhshëm, që do të thotë se Pjanic do të jetë regjisori i lojës së bardhezinjve. Nuk mund të mohohet, veçanërisht pas largimit të Bonucci-t, se organika e skuadrës është e pakompletuar, por protagonistët aktualë duhet të marrin në dorë situatën dhe të jenë gati për sezonin e ri.

Më shumë nga Seria A