Kampionatet në Europë

Juventusi hidhet në sulm, kërkon brazilianin e Bayernit

 

Juventusi është në kërkim të një sulmuesi të jashtëm për sezonin e ardhshëm. Përflitet Keita, por, gjithashtu, në radarët e drejtuesve bardhezinj është edhe Douglas Costa i Bayern Munich. Në pritje të finales së madhe të Champions-it, pasi fitoi Kupën e Italisë, Juventus po përgatit sfidën vendimtare të kampionatit kundër Crotones, fitorja e së cilës zyrtarizon edhe titullin kampion, i gjashti radhazi. Klubi, njëkohësisht, po mendon për merkaton verore. Marotta dhe Paratici janë në kërkim të një sulmuesi të jashtëm dhe alternativat në dispozicion nuk mungojnë. Emri i parë në fletoren e drejtuesve bardhezinj është Keita Baldé, sulmuesi i Lazios.

Përflitet se është mbyllur marrëveshja me lojtarin senegalez dhe agjentin e tij, por mbetet të bëhet diçka e tillë edhe me Lazion. Bardhekaltrit kërkojnë një shifër prej 30 milionë eurosh, për ta lënë lojtarin e tyre të largohet drejt Torinos. Një alternativë është edhe Douglas Costa. Siç raportohet nga “Sky Sports”, braziliani i Bayern Munich është konsideruar si një zgjidhje e mirë për shkak të fleksibilitetit të tij, pasi është krejtësisht në gjendje të luajë edhe në rolin e “puntës” së parë. Interes ka edhe për Federico Bernardeschi, e ardhmja e të cilit te Fiorentina është kthyer në një rebus të vërtetë. Nëse vjollcët nuk kualifikohen për në “Europa League”, lamtumira e këtij futbollisti duket e pashmangshme.

Më shumë nga Kampionatet në Europë