Futboll

Kakà trajner i AC Milan!

Edhe pak javë e më pas Ricardo Kakà do të mund të konsiderohet me të gjitha efektet një ish-futbollist i Orlando City. Data 31 dhjetor 2017 do të shënojë skadencën e kontratës me klubin amerikan dhe më pas braziliani 35 vjeçar do të jetë gati për një aventurë të re profesionale, gjithmonë, nëse nuk merr në konsideratë një tërheqje të mundshme. Ndërkohë Kakà ka menduar edhe për një rikthim te Milan mbase në pozicionin e drejtuesi, apo mbase edhe të trajnerit kuqezi.

Në një intervistë të dhënë për “Przeglad Sportowy”, trekuartisti ka konfirmuar vullnetin e tij për të vijuar aventurën në botën e futbollit. Të paktën për momentin, Kakà ndihet ende futbollist: “Nuk kam kontratë me asnjë klub, por ndihem ende futbollist, dhe në javët e ardhshme do të vendos të ardhmen time. Do të më pëlqente të vijoja në botën e futbollit, mbase si trajner, ose si drejtor sportiv”.

Kështu, braziliani nuk përjashton mundësinë e një të ardhme në rol drejtuesi sportive, apo edhe në krye të pankinës, si trajner. E mbase, në të ardhmen një ofertë nga Milan mund të trokasë në derën e Kaka. Në atë rast braziliani nuk do të thonte jo: “Për të qenë një trajner duhet të ndjesh profesionin, mund të përdor gjithçka që kam mësuar nga José Mourinho ose Carlo Ancelotti. Zizou ishte unik si futbollist dhe tani është edhe si trajner, është i përshtatshëm për atë rol. Të stërvis Milan? Pse jo? E kam ende Milan në zemër, sikurse të gjitha klubet në të cilat kam luajtur. Mendoj se kam një derë të hapur gjithandej”.

Kaka kishte edhe një batutë mbi kampionët e momentit, që nga bashkëkombasi i tij Neymar te Messi dhe Ronaldo, apo tre futbollistët që do të diskutojnë mes tyre trofeun e ardhshëm të ‘Topit të Artë’: “Neymar mund të bëhet kampioni i botës me Brazilin, është pjekur dhe nuk ka qenë kurrë kaq në formë. Messi dhe Cristiano Ronaldo përgjatë viteve dhe me ndihmën e mediave kanë krijuar një rivalitet të pabesueshëm mes tyre. Në ditët e sotme krahasohen vetëm mes tyre dhe votohet për njërin ose tjetrin, kjo gjë i motivon. “Topi i Artë” do të fitohet nga të tjerë vetëm kur ky rivalitet të ketë përfunduar.

Më shumë nga Futboll