Tenis

“Kam mundur Federer dhe falë këtij triumfi fitoj ende disa birra”

Ish-tenisti belg Christophe Van Garsee në karrierën e tij ka patur si rezultatin më të mirë në renditje vendin e 131-të dhe ka fituar vetëm dy turne Challanger. Por, në vitin 1999, ai ka arritur të mundë një kampion të ardhshëm të tenisit që quhet Roger Federer, asokohe 18 vjeç.

Në një intervistë për “Blick”, ai kujton këtë sfidë dhe shprehet se një episod i këndshëm e shoqëron sa herë që përmend këtë triumf. “Falë Federer sot fitoj ende ndonjë birrë. Ndodh që hera-herës, kur udhëtoj me miqtë dhe ulem në lokale, u them të panjohurve se kam mundur Roger Federer në fushë. Ata nuk më besojnë dhe vëmë bast nga një birrë, të cilën natyrisht e fitoj”, thotë Van Garsee.

Pra, një fitore e 20 viteve më parë arrin ende t’i sjellë sukses ish-tenistit belg. “Nuk kam patur shumë suksese në turnetë kryesorë, por në Kupën Davis kam korrur disa fitore. Që asokohe dukej qartë që ai ishte një tenist i talentuar edhe pse ishte ende adoleshent kur jemi përballur. Atë ndeshje e fitova pas 5 setesh e pas saj sfide Roger qante. Për fat të keq nuk jam përballur më me atë, por jam një fans i madh i tij. Fakti që e kam mundur një herë Zotin e tenisit është ende i pabesueshëm për mua”, tha Christophe Van Garsee.

Më shumë nga Tenis