Mix Vendi

Kampionati Ballkanik i mundjes, dëmtohet Leonardo Frrokaj, Spahiu: Mundësi jashtë rrezikut për jetën

Kampionati Ballkanik i mundjes, dëmtohet Leonardo Frrokaj, Spahiu: Mundësi jashtë rrezikut për jetën

Mundësi i ekipit Kombëtar 17 vjeçari Leonardo Frrokaj, ka pësuar një dëmtim të rëndë gjatë pjesëmarrjes në Kampionatin Ballkanik të mundjes për të rinj U-17, që po zhvillohet  Murksa Sobota në Slloveni.  Mundësi shqiptar ka pësuar dëmtim në garën  e tretë, ku konkuronte për medaljen e bronxit në këtë kampionat, por gjërat kanë shkuar keq, pasi talenti Leonardo Frrokaj ka pësuar një dëtmim në verterbrat e shtyllës kurrizore, duke mbetur pa ndienja në tapet.

Menjëherë është bërë transportimi i tij me helikopter në një spital të specializuar në Slloveni, ku mësohet se po merr trajtimin mjekësor nën kujdesin e mjekëve slloven. TeleSport zhvilloi një lidhje telefonike me Sekretarin e Federatës Shqiptare të Mundjes, Çim Spahiu, për të mësuar më shumë rreth gjendjes shëdetësore të sportistit shqiptar.

“Gjatë ndeshjes ka bërë një kapje që i ka kushtuar dëmtimin, në kollonë. Vertebra e dytë dhe e tretë kanë pasur një spostim. Në këto kushte është ndërprerë ndeshja dhe ai gjendet në spital tani. Është në gjendje të rëndë, por e ka kaluar rrezikun për jetën”- është shprehur Çim Spahiu.

Numri dy i Federatës pohon se gjendja shëndetësore e mundësit është e mirë,  sipas komunikimeve me Federatën Sllovene të mundjes, ndonëse dëmtimi i sportistit është kritik.

“Martin Biba, Presidenti ka qenë prezent atje, ka qenë prezent dhe babai i djalit. Ky është Kampionati Ballkanik për Kadet. Leonardo ka fituar ndeshjen e parë dhe të dytën dhe zhvillonte ndeshjen e tretë, në këto kushte u dëmtua. Situata është jashtë rrezikut sipas mjekëve.

E kanë çuar në një spital të specializuar në Slloveni, e kanë transportuar me helikopter. Ka bërë një ndërhyrje dhe tani është gjendje e qetë, sipas gjithë komunikimeve që kemi ne”-thekson Sekretari i Federatës Shqiptare të Mundjes Çim Spahiu.

Leonardo Frrokaj është një nga mundësit e talentuar shqiptar, vetëm pak javë më parë ai u shpall kampion i vendit në stilin greko-romak, në peshën 63 kg. Shqipëria merrte pjesë me pesë mundës në Kampionatin Ballkanik të mundjes për të rinj, që zhvillohet në Slloveni.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Mix Vendi