Kampionati Shqiptar

“Kampionati i vjedhur”, Tomori kërkon në FSHF titullin e vitit 1999/2000

Superliga Shqiptare në 28 vitet e fundit gjatë tranzicionit politik është përballur me një seri fenomenesh shumë të çuditshme që sot mund të duken të pabesueshme. Një nga ngjarjet më të njohura që ka mbetur në historinë e futbollit shqiptar është ajo kampionatit të vitit 1999/2000.

Atë vit kategoria superiore ka pasur 14 skuadra në përbërje dhe në fund kryesuese ka dalë skuadra e Tomorit të Beratit.  Por ky ekip nuk mundi dot ta ngrejë lart trofeun e kampionit, për shkak të një ndryshimi në rregullore. Në fillim të kampionatit ishte parashikuar që skuadra kampione shpallej ajo që kishte më shumë pikë. Në rast të pikëve të barabarta, merreshin parasysh pikët që kishin grumbulluar në ndeshjet direkte të dyja skuadrat. Sipas këtyre pikave të rregullores, titullin duhej ta ngrinte skuadra beratase, por kjo nuk ndodhi, pasi në atë kohë, Federata Shqiptare e Futbollit vendosi që mes Tiranës së vendit të dytë dhe Tomorit të vendit të parë, duhej të luhej një ndeshje finale, përballje e cila u mbyll me fitoren e bardhebluve që triumfuan në gjuajtjet e penalltive.

Por, 18 vite pas kësaj ngjarje, ka një zhvillim të ri. Lëvizja vjen nga ana e klubit të Tomorit, i cili ka kërkuar në FShF që t’i jepet ai titull kampion që sipas tyre iu është marrë në mënyrë të padrejtë. Klubi beratas që është në pronësi të bashkisë së këtij qyteti, ka depozituar pranë zyrave të FSHF kërkesën zyrtare. Mediat lokale, bëjnë me dije se në kërkesën e Tomorit, specifikohet që në Bashkinë e Beratit është ngritur një grup pune që po merret veçmas me këtë çështje.

Që pas atij viti dhe asaj ngjarje, përballjet Tomori-Tirana kanë qenë gjithmonë të ethshme, ku nuk kanë munguar edhe përplasjet mes tifozerive. Ndërkohë në ditët në vazhdim do të pritet reagimi zyrtar i FSHF-së në lidhje me këtë kërkesë.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar