• Kamza-Besëlidhja, ja data dhe vendi ku do të luhet

    Publikuar: 19 May 3:43

    Pasi u shty nga refuzimi i policisë për të marrë përsipër garantimin e rendit dhe sigurisë ditën e caktuar në kalendar, ndeshja Kamza-Besëlidhja kaloi nëpërmjet Komisioneve të Disiplinës dhe Apelit të FSHF-së, sepse lezhjanët kërkuan fitoren në tavolinë, duke akuzuar klubin pritës për mosmarrje masash të duhura. Meqë dy organet juridike në fjalë të futbollit shqiptar e hodhën poshtë reklamimin e Besëlidhjes, sot FSHF-ja ka vendosur datën, orën dhe vendin e zhvillimit të kësaj supersfide të Grupit A të Kategorisë së Parë, që do të vendosë kush do të ngjitet një kategori më lart.

    Kujtojmë se Kamzës i mjafton edhe barazimi për t’u bërë pjesë e Superiores në sezonin e ardhshëm, ndërsa Besëlidhjes i duhet vetëm fitorja. Verdiktin final do ta japë përplasja mes tyre, që do të mbahet të hënën, më 22 maj, në orën 16:30, në stadiumin “Fuat Toptani” të Kamzës. Mesa duket, uniformat blu do të marrin përsipër tashmë garantimin e gjithçkaje në këtë ndeshje, të cilën pritet ta përcjellin mbi 5 mijë tifozë të të dyja skuadrave.


    Lexo postimet e tjera