Futboll

Kamza, Ndreu: “Gabuam aty ku morëm masa, të ndajmë nervozizmin nga lufta sportive”

Skuadra e Kamzës ka harruar të fitojë, pasi me humbjen e sotme në transfertë 2-0 ndaj Laçit, ka numëruar plot 5 ndeshje pa fitore, me tre disfata dhe dy barazime. Rezultate këto që kanë zbritur Kamzën nga zona europiane, në vendin e shtatë të klasifikimit. Gjithsesi, trajneri Ramadan Ndreu nuk shfaqet i shqetësuar, përkundrazi vlerëson dhe kënaqet me lojën e mirë të skuadrës së tij. “Dua ta shoh ndeshjen edhe një herë para se të dal me një gjykim. Nuk mund të kapësh fragmente të ndeshjes. Në momentet kur del me të kuq një lojtar dhe luan jashtë fushe, është kundërshtari në favor. Këto janë episodet. Sot menduam të ndryshonim portier, duke i dhënë mundësinë Avdylit, që është më i mirë me topat e lartë në zonë. Por në vendin ku morëm masat, aty gabuam. Por ndodhi goli dhe nuk ke çfarë të thuash”, komentoi Ndreu.

 

“Mendoj se jemi shumë të qetë, në katër ndeshjet e fundit nuk kemi treguar shenjë nervozimi. Kampionati është i ashpër, por e rëndësishme është që skuadra po luan më mirë, që në ndeshjen me Vllazninë, në Vlorë dhe sot. Duhet të ndajmë nervozimin me luftën e fortë sportive. Më kënaq skuadra që vrapon, punon dhe jep maksimumin në fushë. Kemi bërë ndeshje shumë të mira pavarësisht se rezultatet nuk kanë ardhur”, deklaroi ndër të tjera trajneri i Kamzës, Ramadan Ndreu.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Futboll