Kampionati Shqiptar

Kamza shpërthen ndaj FSHF-së: Korbat e zinj dhe… korbi i madh

Klubi i Kamzës e ka festuar gjatë qëndrimin në Superiore. Por, të enjten mbasdite, i ka mbërritur një “mandatë” nga Komisioni i Disiplinës, që e dënon me 4 ndeshje pa tifozë në kampionatin e ardhshëm. Ky dënim është konsideruar tendencioz dhe si njëlloj hakmarrjeje nga FSHF-ja, çka bëhet me dije në këtë deklaratë për shtyp:

“Pasi u njohëm me ndëshkimin nga Komisioni i Disiplinës, ku KF Kamza nuk do të ketë të pranishëm tifozët e saj për 4 ndeshjet e sezonit 2018-2019, duhet të reagojmë për të mbrojtur dinjitetin e skuadrës sonë.

Pasi jemi luftuar gjatë gjithë kampionatit të sapombyllur nga skenare të turpshme dhe “korbat e zinj” (arbitrat), të cilët pasi e panë të plagosur Kamzën, zbrisnin hera-herës në tokë për ta copëtuar, por nuk ia dolën, tashmë sulmi vazhdon nga e vetmja mundësi, Komisioni i Disiplinës, pasi gara mbaroi dhe Kamza ia doli të mbijetojë.

Krahas kënaqësisë së punës sonë të palodhur, kënaqësia më e madhe ishin mesazhet e shumta të urimeve nga njerëz të ndryshëm, të cilët na uronin, sepse arritëm të mposhtnim një sistem të kalbur.

Sulmet e turpshme ndaj skuadrës sonë vazhdokan edhe për sezonin e ri, si për të na treguar që në start se nuk do ta kemi aspak të lehtë luftën me “korbat e zinj” dhe me “korbin e madh”. Por, ne kurrë nuk do të dorëzohemi, se ne jemi Kamza e nuk pyesim për “korba” e “pula”.

Skenari i fundit nuk u doli, pasi në Teatrin e Korçës nuk ka më aktorë, po futbollistë dhe drejtues. E nëse regjisë qendrore në Tiranë i kanë shpëtuar këto “filma”, UEFA nuk të fal… U bashkuan të gjithë në Korçë dhe, në vend që të luanin futboll për të argëtuar tifozët e pranishëm, dhuruan një shfaqje të turpshme.

Gjithsesi, pasi nuk ia dolën në fushë, tashmë na kanë dënuar. Por, nuk janë gjyqtarët, apo instanca të tjera, që na dënojnë për ndeshjen me Laçin, por një individ, sepse futbolli shqiptar është jo në dorë të drejtësisë, por në duart e individëve, atyre që nuk e kanë gjuhën për të folur të vërtetën, por për të shkëlqyer mëngjes për mengjës këpucët e “korbit të madh”.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar