RUSI 2018

Kandidati, pasardhësi, surpriza… Botërori i jep fund diktaturës Messi-CR7

Ky është Botërori që po përmbys rendin e përcaktuar gjatë këtyre viteve: të mëdhenjtë kanë shkuar në shtëpi, rusët janë në çerekfinale, çifti finalist mund të jetë një surprizë. Faza e 1/8-ve ka dërguar në shtëpi kampionët e botës në fuqi, kampionët e Europës në fuqi dhe ata lojtarë që dominojnë gjatë gjithë vitit me klubet e tyre. Sigurisht, Brazili mund të fitojë përsëri, dhe atëherë mund të flasim për një rivendosje të rregullit. Por diçka ka ndryshuar, ndoshta në mënyrë të pakthyeshme. Paraqitjet zhgënjyese të Leo Messi dhe Cristiano Ronaldo, të eliminuar të dy të shtunën, në harkun e katër orëve, i kanë dhënë fund diktaturës.

DHJETË VITË – Prej dhjetë vitesh, Topin e Artë e fitonin gjithmonë ata (5 secili). Edhe në vitet e fundit, kur Botërorin e fitonin të tjerët (Iniesta dhe Xavi, i dyti dhe i treti në 2010-ën, ndërsa Neuer doli i treti ë 2014-ën, pas dyshes së zakonshme). Por, sot, statujat e tyre kanë pësuar një rënie simbolike, si ajo e Leninit me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. I kanë hedhur poshtë revolucionarët, që tani synojnë të marrin pushtetin. Por cilët janë kandidatët e sotëm?

TRASHËGIMTARI – Ai që të gjithë e japin si pasardhësin e tyre është Neymar, ylli i Brazilit, i cili duhet të kalojë pengesën Meksikë. Ai mund të jetë simboli i titullit të gjashtë të “Seleçao”, por kandidatura e tij ka dy mangësi: sezoni me PSG nuk ka qenë një sukses, shumë pozitiv në fillim, por me një mbyllje zhgënjyese, pa shkëlqim në Europë. Më pas, te ky Brazil, Coutinho po luan më mirë se ai. Lojtari favorit, sipas kompanive të basteve, është Mbappe. Kuotat e francezit janë rritur ndjeshëm pas ndeshjes me Argjentinën. Por, edhe para Botërorit, ai ka bërë një sezon të mrekullueshëm me PSG, që e bleu për 185 milionë euro.

KANDIDATI – Ai që mund të vazhdojë të pasurojë koleksionin e tij të trofeve, pas suksesit të majit, është Luka Modric. Nëse Kroacia do të shkojë larg në këtë Botëror, ai do të jetë kandidati kryesor dhe do të vinte drejtësi për dëmin që i është bërë në të kaluarën kundrejt disa gjenive të mesfushës, si Pirlo ose Iniesta. Pasimi i dhënë për Rebic në ndeshjen kundër Kroacisë vlen një grusht me vota, edhe pse gabimi nga pika e bardhë nuk mund të anashkalohet.

SURPRIZA – Emra të tjerë? Eliminimi në 1/8-at ka nxjerrë nga loja Sergio Ramos dhe Isco. Dëmtimi, ndërkohë, mund të ketë frenuar ngritjen e Edinson Cavani-t (mbetet Suarez). Belgjika ofron Hazard dhe Lukaku, por që nuk bindin plotësisht. Anglia ka Kane, Kolumbia përfaqësohet nga James (nëse do të kthehet në fushë). Nëse më pas ndodh e paimagjinueshmja, me Rusinë, Suedinë dhe Japoninë që i shkojnë Botërorit deri në fund, atëherë gjithçka mund të ndodhë.

Edhe kthimi në pushtet i dy diktatorëve, ndoshta me një vjeshtë të mbushur me gola. Ekziston edhe mundësia e pezullimit të çmimit. Nëse e kanë bërë këtë për çmimin Nobel për letërsinë, atëherë gjithçka mund të ndodhë.

Më shumë nga RUSI 2018