Futboll

Kartona të kuq, penallti dhe gola, Partizani shënon fitoren e parë. Skënderbeu ruan kreun!

Është mbyllur java e pestë e kampionatit në Kategorinë Superiore me Partizanin që ka regjistruar sot fitoren e parë, ndërkohë që edhe Skënderbeu ka ruajtur ritmin, duke fituar në shtëpi dhe mbajtur i pashqetësuar kreun e klasifikimit. Të kuqtë kanë triumfuar në transfertë ndaj Teutës me rezultatin 1-2, në një ndeshje të fituar me përmbysje, me një penallti të pritur, një të realizuar në favor dhe me superioritet numerik, ndërkohë që durrësakët e kanë mbyllur ndeshjen me nëntë futbollistë. Ishte Dosti, ai që në minutën e 18’ kaloi vendasit në avantazh, me durrësakët që në të 24’ kishin të gjitha shanset të dyfishonin epërsinë dhe të mbyllnin takimin para kohe, por penalltia e akorduar në favor të Teutës, e ekzekutuar nga Lena, është pritur nga Hoxha.

Partizani ka barazuar në të 45’ me Trashin, ndërsa në të 76’ është vendosur fati i takimit, me të kuqtë që kanë përmbysur gjithçka. Gafë e mbrojtjes durrësake, me Moçkën që ndal me duar një pasim të dhënë në zonë nga futbollistët e Teutës. Arbitri akordon goditje dënimi brenda zonës së rreptësisë, që në përpjekje për të neutralizuar rrezikun, preket topi me dorë, kësaj here nga Shehaj. Arbitir akordon 11-metërsh, i shndërruar në gol nga Sukaj në të 78’, si dhe ndëshkon me karton të kuq Shehajn. Në të 85’ Arbitri ndëshkon me karton të kuq Dedic duke bërë që Teuta ta mbyllë takimin me 9 futbollistë. Pas kësaj fitore të parë, Partizani mbetet në vend të parafundit, por në kuotën e 5 pikëve është barazuar me Luftëtarin dhe Vllazninë.

Teuta – Partizani 1-2

Shënues: Dosti 18’/ Trashi 45’, Sukaj 78’(11-m)

Teuta: Moçka, Beqja, Shkalla, Hërkaç, Hakaj, Lena, Hila, Dediç, Dosti, Latif, Çyrbja.

Trajner: Gugash Magani

Partizani: Hoxha, Progni, Krasniqi, Atanda, Kalari, La Camera, Batha, Vila, Trashi, Adorian, Sukaj.

Trajner: Mark Juliano

Arbitër: Remzi Sadiku

Aspak e lehtë ka rezultuar në Korçë përballja mes kryesuesve dhe Laçit. Një takimi i mbyllur me fitoren e ngushtë të korçarëve në shifrat 2-1, me kurbinasit që i kanë bërë të gjitha. Ishte pikërisht me autogol të Soza, që Skënderbeu kaloi në avantazh në minutën e 28’. Sërish laçianët janë shfaqur protagonistë në të 59’ me Lushkjan që ka barazuar shifrat. Korçarët kanë kaluar sërish në avantazh në të 75’ me Jashanicën, ndërsa Laçi kishte të gjitha shanset që të dilte nga Korça me të paktën 1 pikë, kur në të 84′ autori i golit të vetëm, Lushkja u pengua në zone i ndalur nga Jashanica, duke fituar një 11-m, por Shehi ka pritur tentativën e Nikës.

Skënderbeu-Laçi 2-1

Shënues: Ademir (a.g) 28′, Jashanica 75’ / Lushkja 59′

Skënderbeu: Shehi, Vangjeli, Radas, Osmani, , Mici, Lilaj, Taku, Dita, James, Muzaka, Sowe.

Trajner: Ilir Daja

Laçi: Selmani, Ademir, Qaqi, Fangaj, Sefgjini, Nika, Gjoni, Bardhi, Jonuzi, Uzuni, Reginaldo.

Trajner: Gentian Mezani

Arbitër:Klodian Shahini

Standings provided by Sofascore LiveScore

Më shumë nga Futboll