La Liga

“Kasapi” arrin 400 ndeshje në La Liga me Real Madridin

Sergio Ramos luan kundër Levantes ndeshjen e tij të 400-të në La Liga me fanellën e Real Madridit. Ish-lojtari i Sevilla erdhi në “Shtëpinë e Bardhë” në verën e vitit 2005, pasi kishte luajtur 39 ndeshje (dy gola) me fanellën e skuadrës mëmë. Prej asaj kohe është rritur shumë, ka kapur majat dhe është lider në “Santiago Bernabeu”. Shiritin e kapitenit e mban që nga largimi i Iker Casillas, në verën e vitit 2015.

Ramos arriti te Real Madridi në verën e vitit 2005, në ditën e fundit të merkatos. Klubi i bardhë pagoi 27 milionë euro për “rekrutimin” e tij. Ramos u bë nënshkrimi i parë spanjoll i Florentino Pérez, i cili kishte filluar të “peshkonte” yjet e tregut spanjoll. Atëherë ishte 19 vjeç dhe me potencial të madh, për shkak të cilësive të tij, por mbi të gjitha të karakterit: i pamposhtur, i guximshëm, nganjëherë edhe shpërthyes (ai është lojtari me më shumë kartonë në historinë e La Liga-s).

Shkurtimisht, ka gjithçka, që ia ka dhënë ekipit të bardhë në kohë të caktuara: personalitet, udhëheqje, përkushtim dhe zemër. Kështu shpjegohet fakti se, nga 399 ndeshjet e La Liga-s, që ai ka luajtur me fanellën e Real Madridit, në 397 prej tyre ka qenë startues (titullar).

Rregullsia e tij ë fushë është një nga pikat e forta të Sergio Ramos. Sezoni, kur luajti më së paku, ishte ai 2015-2016, me 23 ndeshje. Të gjitha, duke qenë startues. Ramos nuk mbetet mbrapa edhe në shënimin e golave, edhe pse është mbrojtës. Ai ka regjistruar 55 gola në La Liga, disa prej tyre me peshë kryesore.

Për shembull, në sezonin 2016-2017, golat e tij shërbyen për të mposhtur Deportivo de La Coruña (3-2) dhe për të barazuar me Barcelonën në “Camp Nou” (1-1), për shembull. Tani ai përballet me sfidën e barazimit të rekordit të Raul: 550 lojëra të La Liga-s me fanellën e Real Madridit.

Më shumë nga La Liga