Kombëtarja

Kastrati “djeg” Sherrin, 3000 km për të luajtur në Estoni

Për të kuptuar që Shqipëria U21 është e lënë pas dore dhe menaxhohet shumë keq nuk duhet të jesh gjeni, sepse veprimet e FSHF-së janë shpesh në kufijtë e tragjikomikes.

Herë lista ndryshon pa asnjë njoftim, herë lojtarët ikin në ekipin A krejt papritur dhe lënë një gropë tek ekipi i Bushit dhe herë ka edhe ngjarje si ajo e fundit, me Alen Sherrin.

Portieri i Vllaznisë u njoftua që të nisej për në Estoni, ku Shqipëria do të luajë sot ndeshjen e fundit kualifikuese për Kampionatin Europian një ndeshje pa asnjë vlerë, pasi tashmë jemi eliminuar dhe ndeshje e sotme nuk e ndryshon në asnjë mënyrë renditjen.

Grumbullimi i Sherrit erdhi për shkak të dëmtimit të Gentian Selmanit dhe për shkak se Elhan Kastrati u thirr me urgjencë për t’u bashkuar me kombëtaren A në Izrael, për të bërë portierin e tretë.

Natyrisht, Kastrati shkoi për turizëm në Izrael, por ndërkohë në FSHF ndërruan mendje për Sherrin, sepse pikërisht kur do nisej për në Estoni i thanë: “Lere fare, qëndro në shtëpi se nuk duhesh më”. Arsyeja është e thjeshtë: u vendos që Kastrati të udhëtonte nga Izraeli për në Estoni, për të qenë ai titullar në portën kuqezi, ndërkohë që zhgënjimi i Sherrit ka qenë i madh.

Janë më shumë se 3000 km rrugë me aeroplan, me Kastratin që u nis të hënën dhe imagjinoni vetë itinerarin, nga Beer Sheva për në Talin e më pas në Parnu, ku do të luhet ndeshja. Nuk është marrë parasysh lodhja, nuk është pyetur fare as Pescara, që të premten do të luajë në Spezia dhe ndoshta mund të ketë pakënaqësi për këtë sforcim ekstrem të portierit të saj, edhe pse Kastrati është zgjedhje e dytë, sepse ka luajtur vetëm një ndeshje këtë sezon, në fillim të shtatorit.

Më shumë nga Kombëtarja