Futboll

Kastrioti-Laçi, tre pikët janë të rëndësishme për të dy ekipet

Kastrioti-Laçi, tre pikët janë të rëndësishme për të dy ekipet

Sfida tjetër dhe e fundit për javën e pestë të Superligës, që do të luhet të dielën, do të jetë ajo mes Kastriotit dhe Laçit. Krutanët vijnë në këtë sfidë disi të rënduar psikologjikisht, pasi në tre javët e fundit të kampionatit kanë pësuar tre humbje, duke mos marrë asnjë pikë. Përjashto fitoren e javës së parë ndaj Luftëtarit, skuadra e Kastriotit në tre javët në vijim ka pësuar tre humbje, duke u mundur nga Skënderbeu, Partizani dhe Kamza.

Ndaj në përfundim të ndeshjes së javës së katër, është zhvilluar dhe një takim mes drejtuesve të skuadrës dhe lojtarëve, duke u kërkuar kthesën në kampionat. Sakaq me tre pikët e marra në javën e parë, Kastrioti mbetet në vendin e fundit në renditje, të cilin aktualisht e ndan me Luftëtarin, që këtë të shtunë mori tre pikët e para në kampionat. Sakaq situatë më pozitive është ajo e Laçit, të paktën në aspektin psikologjik.

Skuadra kurbinase ka arritur të marrë 6 pikë në katër javët e para të kampionatit. Kështu pas barazimit në javën e parë ndaj Kukësit, Laçi fitoi ndaj Luftëtarit në javën e dytë, ndërsa ka barazuar takimin e javës së tretë dhe të katërt përkatësisht ndaj Skënderbeut dhe Partizanit. Në rast të një fitoreje të dielën, skuadra e Laçit shkon në kuotën e 9 pikëve në kampionat. Takimi mes Kastriotit dhe Laçit do të luhet në orën 15:45.

Më shumë nga Futboll