Futboll

“Katastrofë” për Halilin, por Tirana rifiton tifozët!

“Tashmë kemi rënë nga kategoria. Është katastrofë! Të shohim ç’do të ndodhë më pas, por tani të përqendrohemi te Kupa.” Këto qenë fjalët e presidentit Refik Halili drejtuar lojtarëve të Tiranës (sipas “Supersport”-it) në seancën e sotme stërvitore, një ditë pas rrëzimit traumatik nga Kategoria Superiore. Gjithçka është e zymtë te bardheblutë, të cilët dje nuk arritën të fitonin ndaj Vllaznisë në ndeshjen më delikate të sezonit. Finalja me Skënderbeun është në prag (të mërkurën, ora 19:00) dhe triumfi padiskutim që do të ishte një copëz shprese për të rindërtuar diçka të re dhe premtuese.

Postimi në “Facebook” i grupimit ultras të bardhebluve, “Tirona Fanatics”

Megjithatë, kryeqytetasit sot morën një lajm të mirë. Grupimi ultras “Tirona Fanatics” më në fund do të rikthehet në shkallët e stadiumit për të mbështetur skuadrën. Me një njoftim në faqen e vet, ky grupim para pak minutash njoftoi se të mërkurën do të jetë në Elbasan “për të thënë fjalën e fundit”. Kryesia e tij, siç shkruhet në postimin në “Facebook”, ka siguruar transportin për të gjithë anëtarët. “Nuk shkojmë as për kupa fallco, as për autokritikë”, – theksojnë mbështetësit me kusht të 24-herë kampionëve të vendit. Ata ndoshta ndihen paksa fajtorë, por mos është vonë?

 

Më shumë nga Futboll