Basketboll

Katastrofë, Rusia poshtëron kombëtaren kuqezi, fiton me 85 pikë diferencë

Shqipëri – Rusi, 37-122 (4-44, 17-21, 6-32, 10-25)

Kombëtarja e femrave në basketboll është mundur mbrëmjen e sotme 122-37 nga Rusia, në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Europianit 2019 (Eurobasket Women 2019), takim që u luajt në sallën sportive “Feti Borova”, pranë Tirana Olimpik Park. Një humbje që pritej, madje edhe me të tilla diferenca, duke qenë se bëhet fjalë për një ndeshje ku përballen dy realitete krejt të kundërta. Një Shqipëri amatore nuk pati asnjë shans të rivalizojë dhe të tregojë vlerat e saj, duke u shkërmoqur nga kombëtarja ruse, ndeshje e vlefshme për Grupin C eliminator (në grup janë edhe ekipet e Hungarisë e Lituanisë). Vajzat e drejtuara nga trajneri Viron Toska, që u mbështetën vazhdimisht nga grupimi i “Tifozave Kuqezi”, nuk patën asnjë shans për të përballuar ritmin e diktuar nga rivalet ruse, që e kthyen këtë sfidë në një stërvitore.

Nga ndeshja Shqiperi-Rusi

Gjatë 40 minutave, praktikisht u luajt vetëm në koshin kuqzi, me ruset që jo vetëm ishin superiore në çdo drejtim, por edhe dhuruan spektakël në fushë. Presingu i rivaleve dhe gabimet shpesh elementare të kombëtares tonë, vulosën fitoren e Rusisë që në periodën e parë, ku mikeshat u shkëputën 44-4. Ku avantazh prej 40 pikësh u thellua edhe në tri periodat e tjera edhe pse kombëtarja ruse luante shpesh me lojtaret e stolit, ndërkohë që zëvendësimet e shpeshta që bënte trajneri Toska nuk jepnin asnjë rezultat për Shqipërinë. Diferenca rritet me ritme të frikshme në favor të Rusisë, që në përfundim të lojës arrin një fitore të lehtë me rezultatin 122-37. Shqipëria del e turpëruar nga kjo sfidë e parë dhe do të nisë që nesër përgatitjet për duelin e dytë, që do të zhvillojë në Hungari ndaj kombëtares vendase më 15 nëntor.

Basketbollistet ruse ne nje moment pushimi

Grupimi “Tifozat Kuqezi” dje ne sallen sportive “Feti Borova”

Më shumë nga Basketboll