RUSI 2018

Keane kritikon yllin e Anglisë, tifozët e masakrojnë

Ëndrra e Anglisë për të fituar Kupën e Botës është shuar të mërkurën në mbrëmje nga Kroacia, që ka eliminuar “Tre Luanët” me një fitore 2-1 të arritur në kohën shtesë.

Legjenda e Manchester United, Roy Keane, nuk i ka kursyer kritikat për mbrojtësin John Stones pas golit të dytë të kroatëve, i realizuar nga Mandzukic në kohën shtesë.

“Kemi vlerësuar lojën e mbrojtësve të Anglisë, të cilët janë shumë të aftë me topin në këmbë, si Stones. Problemi është se duhet edhe të mbrojnë. Ai ka qëndruar në vend duke parë topin në momentin e golit dhe më pas është kthyer nga të tjerët, sikur ata duhet ta kishin lajmëruar, ka thënë Keane.

“Nuk mund të presësh nga të tjerët në një gjysmëfinale të Kupës së Botës. Duhet të jesh i vetëdijshëm dhe i kujdesshëm në çdo moment. Ai u kap në befasi”, ka shtuar legjenda e United.

Komente këto që kanë shkaktuar zemërimin e tifozëve anglezë në rrjetet sociale. Njëri prej tyre ka shkruar: “Roy Keane, ti as që i je afruar një finaleje të Kupës së Botës. Mos u merr me Stones dhe respekto punën e mirë të bërë nga këta të rinj”.

Një tjetër ka shkruar: “Keane ka kritikuar John Stones, një nga më të mirët e Anglisë në Kupën e Botës”.

Një i tretë shtoi: “Roy Keane po kritikon John Stones, që ishte i madh mbrëmjen e sotme. Ai është një arrogant muti”.

Një i katërt ka shkruar thjesht: “Roy Keane ka qenë një futbollist i madh, por është një dështim si trajner dhe analist”.

Më shumë nga RUSI 2018