Boks

Khan rikthehet fitues, i mjaftojnë 40 sekonda për të mundur Lo Greco

Amir Khan i kanë mjaftuar 40 sekonda për të mundur Phil Lo Greco, në duelin që solli rikthimin në ring të boksierit britanik pas dy vitesh. Khan fitoi me “KO teknik” ndaj rivalit kanadez, në duelin e zhvilluar në “Echo Arena” të Liverpool, një sfidë që u mbyll shumë shpejt. Mungesa 2-vjeçare në ring duket se e kishte karikuar mjaft Khan, që sapo ra gongu nisi një breshëri grushtesh ndaj rivalit Lo Greco, që u rrëzua dy herë në tapet që në raundin e parë, duke detyruar gjyqtarin ta ndalë sfidën pas 40 sekondash.

Lo Greco nuk arriti për asnjë moment që të rivalizojë, apo të lëshojë edhe një grusht të vetëm ndaj Khan, pasi e pa shumë shpejt veten në tapet e apo pas litarëve, duke mos qëndruar dot në këmbë. Kjo ishte fitorja e parë e Khan pas 5 vitesh para publikut të tij dhe tashmë synon një duel për titullin kampion ndaj Kell Brook, që ishte  në stadium për të parë sfidën. “Dua të falënderoj të gjithë fansat e mi në Liverpool, që ishin të mrekullueshëm, duke më mbështetur gjatë gjithë kohës”, u shpreh Khan pas duelit.

Njerëzit donin të më shihnin sërish në ring dhe ja ku jam, u riktheva dhe tregova se çfarë jam në gjendje të bëj. Ndryshova trajnerin, isha i detyruar të bëja disa ndryshime dhe ky ishte rezultati, një duel i mirë dhe fitore fantastike. Kahn është rikthyer, ndaj dua t’u dhuroj fansave të mi në Britani disa duele të mëdha, në stadiumet e mëdha. Kam shumë rivalë të fortë përreth që dua t’i sfidoj, pasi synoj të rikthehem kampion bote”, tha Khan, që korri fitoren e 32-të në karrierën e tij (ka edhe 5 humbje).

Më shumë nga Boks