Çiklizëm

Kittel një përbindësh i sprintit, fitorja e pestë në Turin e Francës

Çiklisti gjerman Marcel Kittel vazhdon të dominojë në Turin e Francës së këtij viti, teksa sot korri fitoren e 5-të në 11 etapa të zhvilluara (sot e 11-ta, Eymet-Pau, 204km e gjatë). Praktikisht, Kittel ka fituar një në dy etapa të zhvilluara në këtë edicion të turneut, duke konfirmuar se është një mbret i sprintit. Edhe etapa e sotme ishte tërësisht fushore, e përshtatshme për sprinterët dhe gjermani nuk e la këtë mundësi t’i ikë nga duart, për të fituar sërish.

Nga etapa e sotme e Turit te Frances

Dhe, në sprintin final, Kittel arriti të jetë sërish më i shpejti (mbërriti në finish pas 4h34’27”), duke lënë pas holandezin Dylan Groenewegen (i dyti), ndërsa në vendin e tretë u klasifikua norvegjezi Edvald Boasson Hagen. Për sa i përket renditjes së përgjithshme të Turit të Francës, edhe pas etapës së 11-të në krye të klasifikimit ndodhet britaniku i SKY, Chris Froome (47h01’55” koha në total e çiklistit). Ai mban të veshur fanellën e verdhë të liderit dhe ruan avantazhin prej 18 sekondash ndaj italianit Fabio Aru (i dyti).

Britaniku i SKY, Chris Froome

Më shumë nga Çiklizëm