Futboll

Klevis Dalipi: “Humbje që dhemb, por ky është futbolli!”

Një transfertë makthi ka rezultuar ajo e sotmja për skuadrën e Partizanit, që ka pësuar disfatën më të tmerrshme në memorjen e viteve të fundit, pasi u mund me rezultatin shkatërrues 5-0 nga Luftëtari që deri para përballjes me të kuqtë renditej në vend të parafundit të klasifikimit. Disfatë që veç turpit të rezultatit, mund të pasohet, të paktën sipas sinjaleve të para pas ndeshjes, edhe me largimin e trajnerit Sulejman Starova, i cili nuk u paraqit as në konferencën për mediat, detyrim i përcaktuar pas ndeshjes. Në vend të “Bobit”, para kamerave u paraqit zëvendëstrajneri i Partizanit, Klevis Dalipi, i cili duke e konsideruar një humbje të dhimbshme, kërkoi që situata të mos dramatizohet më shumë.

“Është një humbje e dhimbshme, sidomos për një fanellë si e Partizanit, por i tillë është futbolli. Ishim të ndërgjegjshëm që do të ishte një ndeshje e vështirë. U përgatitëm mirë gjatë javës, por pësuam goditje të rëndë me pësimin e tre golave që në pjesën e parë. Në pjesën e dytë skuadra nuk reagoi dot si duhet. U ndëshkuam nga disa episode, madje kur ishim në disavantazh me 1 gol edhe mund të kishim barazuar. Ishin këta futbollistë që deri para pak ditësh na lumturuan, me një seri rezultatesh pozitive, ndaj nuk mund t’u heqim çdo meritë. Nuk mendoj se duhet ta shndërrojmë në dramë, pasi futbolli ka edhe ditë negative. Luftëtari e meritoi sot fitoren”, u shpreh zëvendëstrajneri i skuadrës së Partizanit, Klevis Dalipi.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Futboll