Bundesliga

Klopp e dha sinjalin, por Bayern ende nuk di se… jemi në 2018!

Klopp e dha sinjalin, por Bayern ende nuk di se… jemi në 2018!

Arjen Robben, Thomas Müller, Franck Ribery. Sa vite ka kjo treshe te Bayern? Thuajse gjithmonë titullarë! Nja 7 sezone të mira nuk diskutohet që po. Që këtu nis plaga e madhe e rekordmenëve të Bundesligës, ata të cilët merkaton e planifikojnë gjithnjë për periudhën shkurt-maj, sepse pjesa tjetër e vitit përballohet lehtë.

Ndryshe nga klubet si Real Madrid, Barcelona, Juventus, Manchester City dhe PSG, Bayern ka vite që nuk i fut duart thellë në xhepa për një yll në sulm.

Robert Lewandowski është marrë me parametra zero nga Borussia Dortmund. Arjen Robben dhe Franck Ribery janë blerë që para një dekade, kur çmim i jashtëzakonshëm konsiderohej shifra 25 milionë euro. Kingsley Coman, aktualisht i dëmtuar, është blerë për 28 milionë euro (bashkë me huazimin fillestar), ndërsa Douglas Costa, tani te Juventusi, 30 milionë euro.

Hoeness betohet: Do ta mbroj deri në vdekje trajnerin!

E mbani mend Xherdan Shaqirin në Mynih? Ai u ble për 11 milionë euro. Shifër për të qeshur, kur mendon se sa yje kanë blerë skuadrat e tjera. Leroy Sane, Kevin de Bruyne, Roberto Firmino dhe Julian Draxler janë vetëm disa nga lojtarët të cilët Bayern mund t’i blinte pa ndonjë sforco në bisedime, por në fund ata përfunduan jashtë Bundesligës.

Siç e kanë përmendur shumë ekspertë të kampionatit gjerman, problemi te Bayern nuk vjen nga trajneri Niko Kovac dhe as nga klima (sado problematike qoftë) brenda skuadrës. Problemi vjen nga lart. Dyshja Hoeness-Rummenigge vazhdon me parimet e shekullit të kaluar. Kursimi vazhdon, edhe pse bota ka ndryshuar shumë.

Emra si Gareth Bale, Antoine Griezmann, Eden Hazard apo Mauro Icardi janë përmendur shpesh, por deri tani nuk ka asnjë shenjë të mirë. Prej disa muajsh është premtuar një blerje 100-milionëshe, por kur Juventusi shpenzoi 100 milionë euro për “plakun” Cristiano Ronaldo, Hoeness u shpreh shumë negativ, duke theksuar se ai nuk do ta bënte kurrë.

Matthäus shpërthen në akuza veçanërisht ndaj një ylli

Rrjedhimisht lind pyetja: a ka shans Bayern të blejë një lojtar të kalibrit botëror për 50-60 milionë euro? Tifozët shqiptarë të kësaj skuadre tradicionale në rrjetet sociale shpesh shkruajnë se drejtuesit kanë origjinë nga Gjirokastra, se nuk shpjegohet ndryshe fakti që nuk shpenzojnë. Sigurisht, me ironi, por nuk e thonë me prirjen për të bërë humor.

Shpojini xhepat, bavarezë, ndryshe nuk ka sukses! Jemi në vitin 2018! Jürgen Klopp u pendua për “filozofinë” e tij të kahershme të zhvillimit të lojtarëve. Ai e tha hapur se tregu është krejt ndryshe dhe po blen “rëndshëm”. Bayern, mos fli!

Më shumë nga Bundesliga