Kampionatet në Europë

Klopp “pa doreza”, tregon pse portieri i tij bëri dy gafa në finalen e Ligës së Kampionëve

Trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp, thotë se dy gabimet e Loris Karius në finalen e Ligës së Kampionëve ishin “100 për qind rezultat i goditjës, që pati gjatë lojës”. Portieri gjerman, 25 vjeç, duroi një ndeshje makthi, pasi iu dhuroi golat ​​Karim Benzema dhe Gareth Bale, ndërkohë që “Reds” e tij pësuan humbje 3-1 në Kiev, në maj.

Karius ishte përplasur me Sergio Ramos para gabimeve dhe klubi i Liverpool sqaroi pas përfundimit të lojës se ai kishte pësuar tronditje, megjithëse deklarata nuk përmendi përplasjen me kapitenin e Realit.

Përpara ndeshjes së parë të sezonit të “Merseysiders”, Klopp ka folur për incidentin e tij për herë të parë, duke thënë se goditja (përplasja) është shpjegim për gabimet e Karius, por jo një justifikim.

Ai i tha faqes zyrtare të Liverpool: “Karius u ndikua nga ajo goditje, që është 100 për qind shkak për gabimet e bëra. Ajo që pjesa tjetër e botës po thotë, nuk më intereson. Nuk është me të vërtetë e rëndësishme ajo që thonë njerëzit. Ne nuk e përdorim atë si një justifikim. Tani njerëzit mund të mendojnë në mënyra të ndryshme, por ky është shpjegimi. Për mua është 100 për qind shpjegimi për ato gabime dhe kjo është e gjitha”.

Klopp ka sqaruar, gjithashtu, se si e zbuloi për herë të parë se Karius mund të ketë pasur një tronditje, nga një bisedë me gjermanin e njohur, Franz Beckenbauer, pas përfundimit të finales së Ligës së Kampionëve: “Katër ditë pas finales së Kievit mora një telefonatë nga Franz Beckenbauer, lojtari ynë më i madh i futbollit, i cili është një mik i mirë i imi. Ai më telefonoi dhe më tha: Portieri yt kishte një tronditje.

Unë i thashë: Çfarë? Sepse në lojë, nga pozita ime, situata nuk ishte shumë e mirë për t’u parë nëse kishte kontakt apo jo. I thashë menjëherë: OK.
Ai tha se këtë gjë ia kishte pohuar mjeku më i famshëm në Gjermani. Unë iu përgjigja: Mirë, më jep pak minuta, duhet të rregulloj disa gjëra”.

Më shumë nga Kampionatet në Europë