Mix Vendi

KOKSH dënon dhunën, konfirmon pezullimin e shtangës dhe informon ndërkombëtarët

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) përmes një konference shtypi të organizuar sot pasdite në mjediset e këtij institucioni, ka dënuar dhunën e ndodhur dje gjatë uzurpimit që sportistët e trajnerët e sportit të peshëngritjes bënë në zyrat e olimpizmit shqiptar. Konflikti që ka nisur mes KOKSH dhe sportistëve, pas pezullimit 2-vjeçar që olimpizmi shqiptar i ka bërë këtij sporti nga evenimentet olimpike, ka sjellë irritimin e shtangistëve, që kërkojnë anullimin e vendimit.

Stavri Bello, sekretari i KOKSH, në konferencën e shtypit tha: “KOKSH dënon dhunën e spotistëve dhe trajnerëve të tyre, që dje (e mërkurë) uzurpuan zyrat tona. Për ne kjo është një sjellje antisportive, e pa denjë dhe e papranueshme, në thyerje të kodit të etikës. Ne do të njoftojmë organizmat ndërkombëtarë: Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe atë Europian, Federatën Botërore dhe atë Europiane të Peshëngritjes si dhe komitetin organizator të Lojërave Mesdhetare “Tarragona 2018”, u shpreh Bello.

Acarimi i sportistëve vjen si pasojë e mosregjistrimit të tyre në Lojërat Mesdhetare, pasi Federata Shqiptare e Peshëngritjes nuk ka respektuar afatet e regjistrimit. Më datën 26 mars, komiteti ekzekutiv i KOKSH mori vendimin për të pezulluar 2 vjet FSHP-në nga të gjitha aktivitete olimpike. Ky vendim shpreh qëndrimin e KOKSH ndaj keq-qeverisjes së Federatës së Peshëngritjes si nga mosrespektimi i afateve për pjesëmarrje në aktivitetet olimpike dhe sidomos i mungesës së tolerancës zero ndaj dopingut në këtë sport”, thuhet në deklaratën për shtyp të KOKSH.

Më shumë nga Mix Vendi