Volejboll

Kombëtaret e volejbollit, turne miqësor në Kosovë për 10-vjetorin e Pavarësisë

Pas ndeshjeve miqësore të zhvilluara në Tiranë më 28 nëntor, ku dy ekipet kombëtare senior të volejbollit luajtën përballë kombëtareve nga Kosova, tani ka ardhur koha për të kthyer vizitën. Federata Kosovare e Volejbollit do të zhvillojë më datën 13 shkurt një turne miqësor me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë dhe do të zhvillohen sërish dy sfidat Kosovë-Shqipëri, për meshkuj dhe femra.

Ndeshjet do të luhen në pallatin e sportit “Shani Nushi” në Gjakovë, ku në orën 15:00 do të luhet sfida e femrave dhe në orën 17:00 ajo e meshkujve. Në këtë takim do të jenë edhe përfaqësuesit e Federatës Shqiptare të Volejbollit, që do të shoqërojnë ekipet kombëtare dhe do të kryejnë takime me homologët kosovarë.

Për sa i përket ndeshjeve, ato do të jenë një tjetër test i mirë për volejbollistët kandidatë të ekipeve kombëtare, që këtë vit do të marrin pjesë në disa evente, si eliminatoret e Europianit, Liga e Europës dhe Lojërat mesdhetare. Ndaj trajnerët e ekipeve kombëtare do ta shfrytëzojnë këtë event miqësore për të testuar nga afër disa nga volejbollistet kandidate.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Volejboll