Volejboll

Kombëtaret udhëtojnë në Izrael e Kroaci, nesër sfidat e treta në Ligën e Europës

Nesër pasdite do të luhen ndeshjet e treta në Ligën e Europës për ekipet kombëtare të volejbollit, meshkuj e femra. Kombëtarja e meshkujve do të luajë sfidën e tretë radhazi jashtë fushe, këtë herë në Split të Kroacisë ndaj kombëtares vendase. Takimi konsiderohet mjaft i rëndësishëm dhe i vështirë për kuqezinjtë e trajnerit Jani Melka, pasi Kroacia kryeson Grupin B, ku është edhe Shqipëria, me dy fitore. Ndërsa kuqezinjtë kanë një fitore e një humbje, por suksesi tri ditë më parë në Hungari ka motivuar kombëtaren shqiptare në këtë event, ku synon kualifikimin në fazën finale.

E njëjta situatë edhe për kombëtaren e femrave, që nesër pasdite (ora 18:00) do të luajë në qytetin e Raanana ndaj Izraelit, një përballje mes dy ekipesh që deri më tani në Grupin B kanë nga një fitore e një humbje dhe duelojnë për të siguruar kualifikimin. Shqipëria ka luajtur me hope në dy sfidat e para, duke fituar në Gjeorgji dhe humbur në Tiranë takimin e dytë ndaj Austrisë. Ndaj sfida e nesërme është një shans i mirë për t’u rikthyer të suksesi edhe pse nuk ka për të qenë e lehtë ndaj volejbollisteve vendase. Një sfidë delikate, por që mund të ndryshojë fatin për kombëtaren kuqezi.

Më shumë nga Volejboll