Connect with us

Femra

Kombëtarja kuqezi fiton ndaj Kosovës në miqësoren e shqiptarëve

Kombëtarja e femrave në volejboll, 24 orë pas humbjes 3-2 në miqësoren ndaj Malit të Zi, ka luajtur sot dhe ka fituar 3-1 ndaj Kosovës. Ndeshja mes dy ekipeve kombëtare u zhvillua në Gjilan, aty ku dominuan me lojën e tyre volejbollistet kuqezi. Një takim i komanduar nga vajzat e trajnerit Martiri, që patën epërsi gjatë gjithë kohës, duke e merituar fitoren. Stafi i kombëtares kuqezi ndoqi me vëmendje çdo moment të takimit, për të parë në detaje çdo element dhe për të vlerësuar punën e bërë deri më tani.

Kombetaret e Shqiperise e Kosoves para takimit

Këto dy miqësore, ndaj Malit të Zi dhe Kosovës, erdhën pas 10 ditësh përgatitje që kombëtarja e femrave në volejboll po bën për pjesëmarrjen e saj në Ligën e Europës. Ky turne do të nisë më 9 qershor dhe Shqipëria ndodhet në Grupin A bashkë me Finlandën, Bjellorusinë dhe Austrinë. Ekipi do të udhëtojë sot drejt Tiranës, aty ku ditën e hënë do të rinisë përgatitjet për turneun europian. Stafi i ka dhënë 24 orë pushim skuadrës, që synon një rezultat pozitiv në Ligën e Europës, kur merr pjesë për të dytin vit me radhë.

Kosovë – Shqipëri, 1-3 (19-25, 16-25, 25-22, 17-25)

Nga ndeshja Shqiperi-Kosove ne volejboll per femra

Më shumë nga Femra