• Kombëtarja, miqësore me Malin e Zi dhe Kosovën para Ligës Europiane

    Publikuar: 19 May 1:24

    Kombëtarja e volejbollit për femra ka disa ditë që po përgatitet në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet për pjesëmarrjen e saj në Ligën Europiane, turne ku vajzat kuqezi luajnë për herë të dytë. Pas paraqitjes së mirë një vit më parë, kombëtarja shpreson që këtë vit të bëjë një hap më përpara. Tashmë ekipi është më i pjekur, e di se çfarë e pret në këtë aventurë, ndërkohë që edhe optimizmi nuk mungon. “Krahasuar me një vit më parë, skuadra është më e kompletuar, kemi më shumë mundësi zgjedhje dhe, mbi të gjitha, vajzat janë më në formë. Tashmë kemi edhe më shumë përvojë dhe kjo na jep mundësi të punojmë më mirë dhe të synojmë më shumë”, tha trajneri Altin Martiri. Kombëtarja ndodhet në Grupi A bashkë me Austrinë, Bjellorusinë dhe Finlandën, ndaj së cilës do të debutojë më 9 qershor në Tiranë.

    Kombetarja e volejbollit gjate edicionti te kaluar ne Ligen Europiane

    Pranë kombëtares janë afruar shumë vajza të reja, disa prej tyre debutuese, duke sjellë një frymë të re. “Kemi afruar disa vajza të reja që luajnë në Amerikë, Greqi apo Itali, që mendoj se do të na shërbejnë shumë për të ardhmen. Një grup i kompletuar dhe me perspektivë, ndërkohë që presim ende dy vajza për t’u bashkuar me skuadrën”, tha më tej trajneri Martiti. Stërvitja e kombëtares është përqendruar si në fushë ashtu dhe në palestër, duke kombinuar përgatitjen fizike me atë teknike e taktike. Ndërkohë që, javën e ardhshme, kombëtarja do të testojë veten në Malin e Zi. “Po, do të zhvillojmë dy ndeshje miqësore me Malin e Zi dhe më pas dy ndeshje të tjera me Kosovën. Takime të rëndësishme për ne, pasi na japin mundësi që të testojmë veten, për të kuptuar punën që kemi bërë dhe çfarë duhet të përmirësojmë në të ardhmen”, u shpreh trajneri kuqezi.

    Kombetarja e volejbollit gjate edicionti te kaluar ne Ligen Europiane

    Ekipi, këtë edicion të Ligës Europiane, ka më shumë volejbolliste që aktivizohen jashtë Shqipërisë, një gjë pozitive, pasi lojtarët janë më të kompletuara dhe të përgatitura. Madje edhe në listën e lojtareve të grumbulluara, janë më shumë lojtarë që luajnë jashtë se sa në kampionatin shqiptar. “Bici e Thaka kanë debutuar dhe janë aktivizuar në kampionate jashtë Shqipërisë. Kjo është një përvojë e shtuar në ekipin kombëtar, ndërkohë që edhe Ariola Prenga ka vite që luan jashtë dhe ka përvojë. Kjo do të thotë konkurrencë më e madhe brenda skuadrës e kjo reflektohet në stërvitje por dhe më shumë pretendime në punën tonë e në rezultatin final”, tha Martiri, që falënderon FSHV-në për kushtet e krijuara dhe mundësinë që po i ofron këtyre vajzave për t’u ballafaquar me koleget e tyre në arenën ndërkombëtare. Për sa i përket ekipeve rivale, trajneri i kombëtares shprehet: “Bjellorusinë e njohim, pasi kemi luajtur edhe vjet, por edhe Austria e Finlanda janë rivale të forta. Gjithsesi, ne shohim punën tonë dhe përgatitemi për të dueluar si të barabartë ndaj çdo kundërshtari”, tha trajneri Altin Martiri.

    [interaction id=”590ee9ae32e5cd871b2a0525″]


    Lexo postimet e tjera