Volejboll

Kombëtarja U-19 bën testin e parë para Europianit, humbet miqësoren me Kosovën

Pak orë pas hedhjes së shortit të fazës finale të Europianit U-19 në volejboll për vajza, që në shtator të këtij viti do të zhvillohet në Shqipëri e ku do të marrë pjesë edhe kombëtarja kuqezi, sot volejbollistet e drejtuara nga trajneri Roland Tarja kanë bërë testin e parë. Në sallën e Akademisë “Dhimitraq Goga”, kombëtarja U-19 ka luajtur dhe është mundur 3-1 nga kombëtarja e të rriturave të Kosovës. Në fakt, në fushë duhej të zbriste kombëtarja e të rriturave, por është rënë dakord që të luajë ajo U-19, që në këtë mënyrë ka nisur zyrtarisht përgatitjet për Kampionatin Europian edhe pse përballë kishte një ekip me moshë më të madhe.

Ndeshja u dominua nga volejbollistet kosovare, që në shumicën e kohës patën epërsi dhe e merituan fitoren, madje ajo mund të kishte qenë edhe me shifrat 3-0. Mikeshat e dominojnë setin e parë, por në momentet e fundit gabojnë, duke i dhënë mundësi Shqipërisë të rikuperojë dhe fitojë 25-23. Por Kosova nuk e përsërit më këtë gabim, duke fituar me lehtësi 25-15 setin e dytë dhe barazpeshon shifrat.

Ja shorti i Kombetares U-19 ne Europianin qe zhvillohet ne Shqiperi

Mjaft i bukur seti i tretë, ku luhet fort për çdo pikë dhe gjithçka vendoset në shtesë. Pas një maratone, Kosova fiton 29-27, avantazh që i jep më shumë siguri dhe besim, duke dominuar në fushë në setin e katërt. Shqipëria nuk ka forcë të përballojë ritmin e kosovareve, që fitojnë 25-14 dhe krejt ndeshjen 3-1. Trajneri Tarja pati mundësi të testojë elementët e duhur në këtë miqësore, duke hedhur piketat për të ardhmen.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Volejboll