Futboll

Komplote dhe prostituta, Eliminatoret e Amerikës së Jugut përlyhen në akuza

Komplote dhe prostituta, Eliminatoret e Amerikës së Jugut përlyhen në akuza

Amerika e Jugut ngjan shumë me Shqipërinë dhe këtu nuk është fjala vetëm për trafikun e lëndëve narkotike. Shumë gjëra që ndodhin në futbollin latin janë çmenduri.

Fundi i Eliminatoreve të Botërorit të Rusisë ka qenë i mbushur me dyshime dhe akuza, aq sa ende nuk dihet se si do t’i shkojë fundi kësaj historie. Ekuadori përflitej se kishte marrë shumë para që të ndalte Argjentinën, por Lionel Messi shënoi tre gola dhe skuadra bardhekaltër fitoi 3-1 në rreth 3000 metra mbi nivelin e detit. Në Brazil, sakaq, edhe pse thuhej se Neymar me shokë do ta toleronin Kilin vetëm që Argjentina të mos kualifikohej, asgjë e tillë nuk ndodhi. Brazili fitoi 3-0, kur rezultati i parashikuar ishte barazimi.

Megjithatë, duke menduar se Kili u mposht nga “Seleçao”, Kolumbia mendohet se ka bërë pakt me Perunë për ta mbyllur ndeshjen 1-1. Të dyja kombëtaret u kualifikuan. Gjatë ndeshjes, kamerat u përqendruan shpesh te Radamel Falcao, i cili fliste me lojtarët kundërshtarë duke vendosur dorën para buzëve, që të mos kuptohej. “Mos sulmoni, Kili po humbet! Ta mbyllim kështu!” – pretendohet se kanë qenë fjalët e sulmuesit.

Kalojmë në Paraguai, aty ku Venezuela fitoi 1-0. Pas ndeshjes, trajneri fitues akuzoi se, meqë Paraguait i duhej një fitore e thellë, kundërshtarët kanë çuar prostituta në hotelin e skuadrës para ndeshjes. “Hoteli ku qëndronim mori telefonata pa fund dhe aty ishin shumë femra seksi, të cilat mundoheshin të joshnin lojtarët tanë. Këto gjëra kanë ndodhur gjithnjë, por kohërat kanë ndryshuar. Lojtarët e mi janë profesionistë”, – tha ai.

Ngjarje të tilla janë të denja për kampionatin shqiptar. Ja që kemi shokë si vetja!

Më shumë nga Futboll