FSHF

Konferencë për shtyp e trajnerit të U-17, Xhemal Mustedanagic

Xhemal Mustedanagiç doli sot në një konferencë për shtyp, ku publikoi edhe listën e lojtarëve të ftuar për turneun e UEFA-s, që do të zhvillohet në vendin tonë nga data 19 tetor. Kuqezinjtë tanë të kësaj grupmoshe janë në Grupin e dytë, bashkë me Spanjën, Kroacinë dhe Lihtenshtejnin. “Xhema” nënvizoi në fjalën e tij: “Ashtu si çdo vit tjetër kemi një grup të vështirë. Kemi luajtur më përpara me Holandën, Zvicrën, Italinë, Maqedoninë, por unë mendoj që ky aktuali është grupi më i vështirë, pasi Spanja është një skuadër me traditë dhe shumë talente. Ata bashkë me Kroacinë janë favoritë, por ne kemi një ekip të mirë dhe mund të bëjmë surprizën në këto eleminatore. Qëllimi ynë është që të bëjmë një prezantim të mirë dhe të kualifikohemi në “Elite Round”. Duhet të luajmë mirë dhe do të synojmë të zhvillojmë futboll modern, por duhet parë se sa do të na lejojë ekipi kundërshtar.

Gjithsesi, qëllimi ynë është që t’i shërbejmë sa më shumë ekipit të parë. M’u bë qejfi kur pashë Ndojin me ekipin A. Në të ardhmen duhet ta furnizojmë sa më shumë skuadrën e parë. Kam punuar me U-17 dhe U-19 të Kroacisë, por edhe me Dinamon e Zagrebit, dhe e kam vëzhguar Kroacinë. Pra, dëshira ime është t’i bëjmë një surprizë, edhe pse nuk është e lehtë. Kam evidentuar disa pika të dobëta të Kroacisë dhe aty do të tentojmë ta godasim. Do ta shikoni që në të ardhmen Shqipëria do të jetë edhe në Europian dhe në Botëror. Në të ardhmen Shqipëria do të jetë zgjedhje e pare për lojtarët që luajnë jashtë. Marr si shembull Zvicrën, ku shqiptarët do të mendojnë si zgjedhje të parë Shqipërinë”.

Më shumë nga FSHF